Ishte fotografia e parë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e botuar në mediat e huaja, e bërë nga fotografi i luftës në Kosovë, Wade Goddard.

Sipas tij, në fillim të luftës, rezistenca e armatosur e formimi i UÇK-së, nga kolegët e tij në Beograd, konsiderohej forcë terroriste.


Ai rrëfeu se diku në një fshat u ka bërë një fotografi tre fëmijëve të vegjël, të cilët qëndronin anash rrugës duke përshëndetur, me grushtet lart.

Teksa vetëm pak ditë më vonë siç thotë ai, UÇK-ja e kishte ndaluar atë përshëndetje dhe se ajo nuk do të ishte më përshëndetja zyrtare e ushtrisë së Kosovës.

Pas kësaj, sipas Goddard, ata filluan një përshëndetje më tradicionale.

“Më pas dëgjoja thashetheme e akuza nga kolegët, veçanërisht në Beograd, të cilët ishin të bindur se ne e kishim falsifikuar gjithë atë histori dhe se UÇK-ja ishte diçka që kurrsesi nuk ekzistonte. Në fillim të luftës, rezistenca e armatosur, formimi i UÇK-së, kritikohej se dukeshin shumë si forcë terroriste”- u shpreh Goddard.

Pyetur se çka e dallonte luftën në Bosnjë H. me atë në Kosovë, fotografi i cili qe prezent tek të dyja tha se kur dilje me veturë nga Prishtina, kishte serbë kudo.

Ndërsa në anën tjetër, siç thoshte ai, Bosnja ishte zonë kontrolli deri në vijën e frontit. Tokë e askujt, zonë nën kontrollin e opozitës.

“Kur udhëtoje me veturë drejt Kosovës qendrore, kishte punkte serbe kontrolli, por kishte edhe punkte kontrolli të UÇK-së që shfaqeshin sa këtu – sa atje. Ata mund të ishin aty kur kaloje me makinë në mëngjes dhe gjatë rrugës kur ktheheshe pasdite mund të zhdukeshin prej aty. Pra, nuk kishte zona të qëndrueshme kontrolli. Ishte plotësisht fluide”- përfundoi ai./Kallxo.com