Fituesi i xhekpotit historik prej 1.3 miliard dollarësh në Powerball është zbuluar si një emigrant nga Laosi, i cili po lufton me kancerin dhe ka kryer trajtimin e tij më të fundit të kimioterapisë javën e kaluar.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Cheng “Charlie” Saephan, 46 vjeç, nga Portland, i cili ka pasur kancer për tetë vjet, tha se ai dhe gruaja e tij, Duanpen Saephan, 37 vjeç, do ta ndanin çmimin në mënyrë të barabartë me një mik i cili kontribuoi me 100 dollarë për të blerë disa bileta me ta.
Kështu, ata do të marrin një shumë të madhe – 422 milionë dollarë pas taksave.
“Unë jam mirënjohës për lotarinë dhe për mënyrën se si jam i bekuar”, tha ai në një konferencë shtypi të hënën të mbajtur nga Lotaria e Oregonit, duke shtuar se “jeta ka ndryshuar”.
“Do të jem në gjendje t’i ofroj diçka familjes dhe shëndetin tim… Do të gjej një mjek të mirë për veten time”.
Ai tha se si një pacient me kancer, ai pyeste veten: “Si do të kem kohë për të shpenzuar gjithë këto para? Sa do të jetoj?”.
Saephan u tha gjithashtu gazetarëve se ka në plan të blejë fillimisht një shtëpi për familjen e tij në Oregon.
Ai gjithashtu theksoi se ka të ngjarë të vazhdojë të luajë lotarinë. /Telegrafi/