Kosova dhe Turqia do të përballen në një nga ndeshjet më të rëndësishme të viteve të fundit, në finalen e “play-offit" për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

Takimi zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe pritet të sjellë një atmosferë të zjarrtë, me përkrahjen e madhe të tifozëve vendas për “Dardanët”. Për Kosovën, kjo është një mundësi historike për të siguruar pjesëmarrjen e parë në një Botëror.


Kombëtarja e Kosovës vjen me moral të lartë pas fitores dramatike ndaj Sllovakisë, duke dëshmuar formë të mirë dhe karakter të fortë në ndeshje vendimtare. Për më tepër, skuadra e drejtuar nga Franco Foda ka qenë shumë e fortë në shtëpi, çka rrit optimizmin për një rezultat pozitiv.

Në anën tjetër, Turqia paraqitet me një ekip cilësor dhe me përvojë ndërkombëtare, me shumë lojtarë që aktivizohen në ligat elitare evropiane.

Mbulueshmëria speciale e ngjarjes është mundësuar nga DFK Group, Daakonn Investments, Voom, Patos Kosova dhe 99esim.

31/03/2026 00:13- Corriere dello Sport: Kosova për historinë, shteti i vogël ëndërron Botërorin – nga Muriqi te Zhegrova, sa shumë lidhje me Italinë

Kosova është një tjetër “përrallë ballkanike”, një përzierje rrënjësh, largimesh, rikthimesh dhe fëmijësh të shpërndarë në gjithë Evropën. Shkruan Corriere dello Sport.

Kombëtarja e Kosovës ëndërron pjesëmarrjen e parë në Kupën e Botës dhe sot ajo ëndërr nuk duket më aq e largët.

Fitorja dramatike në Sllovaki, 4-3, i ka dhënë edhe më shumë peshë ambicieve të kësaj skuadre dhe ka rritur entuziazmin rreth një përfaqësueseje që, edhe pse e re si shtet, është tashmë e pasur me histori, identitet dhe ndjenjë përkatësie.

Lexo lajmin e plotë>>>

31/03/2026 00:12- "Di disa fjalë shqip, Kosova ka ekip të mirë" - Calhanoglu flet për sfidën finale

Kapiteni i Kombëtares së Turqisë, Hakan Çalhanoğlu, ka folur në konferencë për media para përballjes vendimtare ndaj Kombëtares së Kosovës, duke treguar respekt për kundërshtarin dhe duke vlerësuar cilësitë e skuadrës kosovare.

Mesfushori turk theksoi se Kosova ka disa lojtarë të rrezikshëm dhe një ekip të organizuar mirë, ndërsa zbuloi edhe një detaj interesant nga lidhja e tij me gjuhën shqipe.

“Kosova nuk ka vetëm një lojtar të rrezikshëm. Vedat Muriqi, Fisnik Asllani, Edon Zhegrova, janë lojtarë që luajnë mirë. Kosova ka ekip të mire”.

31/03/2026 00:11- "Na pret një finale e madhe, Kosova me meritë deri këtu" - Montella flet për përballjen në "Fadil Vokrri"

Përzgjedhësi i Kombëtares së Turqisë, Vincenzo Montella, ka folur në prag të përballjes vendimtare ndaj Kombëtarja e Kosovës, duke theksuar rëndësinë dhe presionin që e shoqëron këtë sfidë.

Tekniku italian pranoi se pritjet janë të mëdha, por u shpreh i bindur se skuadra e tij ka kapacitet për ta përballuar situatën.

“Do të jetë presion. Ka lojtarë që nuk ishin të lindur kur Turqia luajti për herë të fundit në Botëror. Besoj se do ta përballojmë me sukses presionin”.

31/03/2026 00:10- Kombëtarja e Turqisë arrin në “Fadil Vokrri” - pritet nga tifozë dhe media

Kombëtarja e Turqisë ka arritur në stadiumin Fadil Vokrri Stadium në Prishtinë, ku është pritur nga dhjetëra tifozë, si dhe nga një numër i madh gazetarësh.

Skuadra turke pritet të mbajë konferencën zyrtare për media nga ora 18:15, në prag të ndeshjes vendimtare ndaj Kombëtarja e Kosovës.

Në mesin e lojtarëve që kanë tërhequr më së shumti vëmendje janë yjet si Arda Güler, Kenan Yıldız dhe kapiteni Hakan Çalhanoğlu, të cilët pritet të jenë ndër figurat kyçe të Turqisë në këtë përballje.

31/03/2026 00:09- “Fadil Vokrri”, fortesë e pathyer tash e një vit e gjysmë – tetë ndeshje radhazi pa humbje

Kosova do të luajë ndaj Turqisë në kuadër të finales së play-off-it për Kupën e Botës në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Dardanët vijnë pas fitores së madhe si mysafir ndaj Sllovakisë (4-3), ndërsa Turqia e mposhti në shtëpi Rumaninë (1-0).

Kosova kthehet të luajë në “Fadil Vokrri” pas tre muajsh, ku ndeshja e fundit ishte ajo ndaj Zvicrës me rezultat 1-1.

Lexo lajmin e plotë>>>

31/03/2026 00:08- Kosova e zhvillon stërvitjen finale, gati për Turqinë

Kombëtarja e Kosovës e ka kompletuar edhe stërvitjen e fundit para finales së play-offit për Kupën e Botës ndaj Turqisë.

“Dardanët” nën urdhrat e Franco Fodas realizuan ushtrimet e parapara taktike, duke shfaqur gatishmëri të lartë fizike dhe psikologjike.

“Kombëtarja e Kosovës ka përmbyllur stërvitjen zyrtare në prag të finales së madhe të “play-off”-it kundër Turqisë, e cila zhvillohet nesër nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”, shkruan FFK.

31/03/2026 00:06- Franco Foda: Turqia ekip i fortë, por gjasat janë 50-50

Përzgjedhësi i Kosovës Franco Foda ka dhënë lëvdata për Kombëtaren e Turqisë, por beson se “Dardanët” do të bëjnë çmos për të motivuar.

Ai në konferencë për media deklaroi se shanset janë 50-50, meqenëse Kosova me plot meritë ka arritur në finale.

“Ekipi i Turqisë është shumë i fortë edhe në aspektin e lojtarëve individual si Yildiz, Guler e Calhanoglu, janë kualitativ dhe ne jemi të mirë. Jemi në finale me plot meritë, gjasat janë 50-50. Ne do të japim gjithçka për të fituar”.

Lexo lajmin e plotë>>>

31/03/2026 00:05- “Pas Pavarësisë do të jetë lumturia më e mirë e shtetit tonë”, Vedat Muriqi beson në fitoren e Kosovës ndaj Turqisë

Qendërsulmuesi Vedat Muriqi thotë se beson se Kosova do të triumfojë në përballjen ndaj Turqisë.

Ylli nga Kosova në konferencë për media dha lëvdata për ekipin e Turqisë, por shpreson se “Dardanët” do të kenë sukses.

“Kam kënaqësinë që jam kapiten në këtë sfidë të rëndësishme, pra jemi në finale. Jam i qetë, kemi atmosferë jashtëzakonisht të shkëlqyer në kombëtare dhe shpresojmë shumë në sukses".

Lexo lajmin e plotë>>>

31/03/2026 00:04- Kosova përballë Turqisë për historinë, në lojë edhe miliona euro

Kombëtarja e Kosovës do të presë Turqinë të martën, më 31 mars nga ora 20:45, në një përballje historike që vlen finalen e “play-off”-it në rrugën drejt Kupa e Botës FIFA 2026.

Kjo sfidë është ndër më të rëndësishmet në historinë e futbollit kosovar, pasi një fitore do ta dërgonte Kosovën për herë të parë në një turne madhor botëror.

Përveç aspektit sportiv dhe historik, në lojë janë edhe përfitime të mëdha financiare.

Lexo lajmin e plotë>>>

31/03/2026 00:02- Kryeministri viziton Kombëtaren e Kosovës para finales me Turqinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar kampin e Kombëtares së Kosovës për ta përgëzuar ekipin për arritjen në finalen e ‘play-off’-it për Kupën e Botës 2026 dhe për t’i ofruar mbështetje para kësaj sfide historike përballë Turqisë.

Fillimisht, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, e falënderoi kryeministrin Kurti, ministrin e Sportit, Blerim Gashiani dhe zëvendësministren Daulina Osmani, për përkrahjen e vazhdueshme ndaj ekipit kombëtar.

Në fjalën e tij para futbollistëve dhe stafit, kryeministri Kurti i uroi Dardanët për fitoren historike në Bratisllavë, duke theksuar se rrugëtimi deri në finale është plotësisht i merituar.

Lexo lajmin e plotë>>>

31/03/2026 00:01- Luajti katër vite në Turqi dhe i njeh mirë, Shala: Nuk jemi favorit, por i mposhtim - Aro do të jetë vendimtar në penallti

Herolind Shala është një nga futbollistët më të mirë që ka luajtur te Kombëtarja e Kosovës që nga pranimi e këtej.

Mesfushori nga Drenasi ishte pjesë e Kombëtares së Shqipërisë, por me t’u pranuar Kosova në UEFA dhe FIFA, ai u largua nga kuqezinjtë dhe iu bashkua “Dardanëve”.

Që nga debutimi i tij më 10 tetor 2016, Shala ka zhvilluar 27 ndeshje me Kombëtaren e Kosovës, numër që ka mundur të jetë shumë më i madh, nëse nuk do ta ndiqte fati i keq me lëndime.

Lexo lajmin e plotë>>>

31/03/2026 00:00- Trajneri veteran Mustafa Denizli vlerëson atmosferën që krijojnë Dardanët në "Fadil Vokrri"

Mustafa Denizli, një nga trajnerët më të njohur në futbollin turk, i cili ka drejtuar skuadra si Galatasaray, Fenerbahçe dhe Beşiktaş, ka folur për përballjen e ardhshme mes Kosovës dhe Turqisë.

Denizli që ka fituar dy tituj kampioni në futbollin turk dhe e vlerëson lartë skuadrën kosovare, ndërsa thotë se te Kosova ka një atmosferë të veçantë në stadium, e ngjashme me ato që krijojnë tifozët turq.

“Nëse do të krahasonim Sllovakinë me Kosovën, unë do të zgjidhja Sllovakinë. Aty nuk krijohet një presion i madh nga stadiumi, por te Kosova është ndryshe. Ata kanë një grup tifozësh që na kujton atmosferë te ne", deklaroi fillimisht Denizli.

Lexo lajmin e plotë>>>

30/03/2026 23:58- Kosova në arenën botërore: Futbolli që dikur vuante, sot ngrit shtetin

Sot jemi shumë afër, 90 apo 120 minuta, ndoshta edhe penallti… larg ëndrrës së kamotshme për të marrë pjesë në një event të madh sportiv. Por arritja e Kombëtares së Kosovës deri këtu ka kaluar përmes shumë sfidave dhe vuajtjesh. Tani, kjo është kryelajmi i mediave të mëdha botërore, ku jo vetëm futbolli, por edhe shteti në përgjithësi po lartësohet.

Kosova, vendi ynë, vinte pas luftës me dëmtime të mëdha, me një futboll që luhej paralel, prej disa vitesh, në ara, fusha, afër malit, me futbollistë që si profesionist, u desh të linin fushat e mira, për të mos luajtur më bashkë me okupatorin serb.

Lufta iu bashkua dhjetëra ish-futbollistëve, prej tyre edhe dëshmorë si Bajram Aliu, Rexhep Rexhepi e Përparim Thaçi.

Lexo lajmin e plotë>>>

30/03/2026 23:57- Ikona e futbollit turk, Riza Calimbay për Telegrafin: Kosova shumë e fortë, Turqia nuk do ta ketë të lehtë

Me mbi 600 ndeshje të drejtuara në Superligën e Turqisë, Riza Calimbay mban rekordin si trajneri me më së shumti paraqitje në bankinë në histori të kampionatit turk.

Si lojtar, ai gjithashtu zhvilloi një reputacion të madh, duke numëruar mbi 500 paraqitje dhe tetë trofe të fituar, kryesisht me fanellën e Besiktasit.

Në një intervistë për Telegrafin, Calimbay ka folur për forcën dhe cilësinë e Kosovës, rëndësinë që ka kjo ndeshje për të dyja kombëtaret dhe se cilët faktorë mund ta vendosin këtë ndeshje.

Lexo lajmin e plotë>>>

30/03/2026 23:55- “Ata thoshin ‘Ky është vendi ynë’”, rrëfehet për herë të parë Alain Giresse, zbulon si u bë përzgjedhës i Kosovës

Ish-përzgjedhësi Alain Giresse për herë të parë pas afro dy viteve pas shkarkimit nga FFK-ja është rrëfyer për gazetën e madhe franceze “L’Equipe”, ku komentoi për kombëtaren e Kosovës që është afër të shkruajë historinë.

Giresse ka qenë përzgjedhës i Kosovës për gati 1 vit e gjysmë (2022-2023), ku drejtoi “Dardanët” në 14 ndeshje si dhe kishte një mesatare prej 1.29 pikëve për lojë.

Për “L’Equipe”, Giresse deklaroi se Kosova ka përparuar më të madhe për një periudhë të shkurtër, pavarësisht që para dy viteve ishin më “të papjekur”.

Lexo lajmin e plotë>>>

30/03/2026 23:53- “Shpresoj në fitore”, Fisnik Asllani i qartë: Favorit ishte edhe Sllovakia e Suedia, por të shohim në fushë

Ylli i Kosovës Fisnik Asllani thotë se “Dardanët” janë gati të japin më të mirën për të mposhtur Turqinë në finalen e play-offit.

Ai për faqen zyrtare të FFK-së bëri të qartë se triumfi i fundit në Sllovaki iu ka rritur vetëbesimin lojtarëve dhe këtë janë të gatshëm ta dëshmojnë.

“Besoj që fitorja na ka dhënë shumë vetëbesim, kështu që të martën kundër Turqisë kemi me bo një lojë shumë të mirë, t’i kemi tifozët pranë vetës. Shpresoj që e fitojmë lojën dhe shkojna në Kupën e Botës”.

30/03/2026 23:51- “Do të bëjmë gjithçka për fitore”, Aro Muric plot optimizëm para përballjes me Turqinë

Portieri i Sassuolos Arijanet Muric ka premtuar se Kosova do të bëjë gjithçka për ta mposhtur Turqinë.

“Dardanët” do t’i presin turqit të martën mbrëma në “Fadil Vokrri” në kuadër të finales së play-offit të Kupës së Botës. Para ndeshjes për faqen zyrtare të FFK-së foli edhe Muric i cili deklaroi se synimi i vetëm është fitorja.

“Jemi gati dhe besoj se do të jetë një ditë e bukur në Prishtinë. Do të japim gjithçka për të fituar. Siç e kam thënë më parë deri në momentin e fundit asgjë nuk përfundon dhe ja ku jemi tani. Gjithçka varet nga ne. E kemi merituar dhe do të japim maksimumin për të marrë fitore”.

30/03/2026 23:50- Gjyqtari i njohur anglez, Mark Oliver do të ndajë drejtësinë në ndeshjen Kosovë – Turqi

Michael Oliver do të jetë gjyqtar kryesor i ndeshjes finale të playoff-it për Kupën e Botës 2026 mes Kosovës dhe Turqisë, ka njoftuar Federata Turke e Futbollit të shtunën.

Ky takim do të zhvillohet të martën me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Asistentë të Oliverit do të jenë Stuart Burt dhe James Mainwaring ndërsa gjyqtar i katërt do të jetë Christopher Kavanagh.

30/03/2026 23:47- "Kosova ka bërë hapa të mëdhenj, fitojmë 2-1" - Enis Alushi, i vetmi futbollist që ka luajtur tre ndeshje me Dardanët kundër Turqisë

Kombëtarja e Kosovës do të luajë me Turqinë në finalen vendimtare të Play-Off-it për Kampionatin Botëror. Fituesi shkon në Botëror, ndërsa humbësi mbetet jashtë. Një ndeshje që vendos fatin e vendit në arenën më të madhe të futbollit.

Kjo është ndeshja më e rëndësishme në histori të Kombëtares së Kosovës, pasi një fitore eventuale do të thotë se jemi në Kampionatin Botërorë, diçka e paimagjinueshme për një vend që ka vetëm 10 vite që merr pjesë në kualifikuese.

Përballja e së martës do të jetë e katërta mes Kosovës dhe Turqisë, pas tre sfidave të mëparshme në vitet 2014, 2016 dhe 2017.

Lexo lajmin e plotë>>>

30/03/2026 23:45 - Florent Hadërgjonaj optimist para përballjes me Turqinë: Është ndeshja e karrierës, e merituam të jemi këtu

Mbrojtësi Florent Hadërgjonaj thotë se Kombëtarja e Kosovës është e gatshme për finalen e play-offit dhe që me plot meritë “Dardanët” kanë mbërritur këtu.

Në një intervistë të drejtpërdrejt me “A Spor”, mbrojtësi i krahut deklaroi se kjo është sfida më e rëndësishme në karrierë dhe të gjithë janë tepër të emocionuar.

“Ndeshja ndaj Turqisë do të jetë ndër më të rëndësishmet e karrierës tonë. Të jemi në gjendje të luajmë këtë finale është ëndërr e bërë realitet. Kemi punuar shumë për të arritur në këtë nivel dhe jemi tepër të emocionuar”.

Lexo lajmin e plotë>>>

30/03/2026 23:33- Veldin Hoxha para sfidës me Turqinë: Fokusi është vetëm te kualifikimi, do të japim maksimumin për ëndrrën e Botërorit

Mesfushori i Kombëtares së Kosovës, Veldin Hoxha, ka theksuar se skuadra tashmë ka lënë pas fitoren e fundit dhe është plotësisht e fokusuar te përballja ndaj Turqisë, që do të zhvillohet të martën mbrëma në Prishtinë.

Në një prononcim për faqen zyrtare të FFK-së, Hoxha vlerëson atmosferën shumë pozitive brenda ekipit, duke e cilësuar unitetin dhe lojën kolektive si një nga armët më të forta të Kosovës në këtë fazë vendimtare.

Ai thekson gjithashtu rëndësinë e përkrahjes së tifozëve, duke shtuar se mbështetja nga tribunat i jep skuadrës një motiv shtesë për të dhënë maksimumin në fushë dhe për të ndjekur ëndrrën e madhe drejt Kupës së Botës.

30/03/2026 23:31- Dion Gallapeni para ndeshjes ndaj Turqisë: Forca jonë është uniteti dhe tifozët, do të luftojmë për fitore

Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Dion Gallapeni, e ka cilësuar ndeshjen e fundit si historike, duke theksuar se skuadra tregoi karakter të fortë dhe arriti një fitore të madhe falë edhe mbështetjes së tifozëve “Dardanë”.

Në një prononcim për faqen zyrtare të FFK-së, Gallapeni pranon se përballja ndaj Turqisë të martën mbrëma në Prishtinë do të jetë shumë e vështirë për shkak të cilësisë së kundërshtarit, por nënvizon se forca kryesore e Kosovës mbetet uniteti dhe lufta për njëri-tjetrin në çdo moment të ndeshjes.

Gallapeni vë theksin edhe te roli i tifozëve, duke i cilësuar ata si shtysa më e madhe e ekipit, ndërsa shpreh besimin se me një atmosferë të zjarrtë në stadium, Kosova mund të arrijë një tjetër rezultat pozitiv.

30/03/2026 23:28- Kosova nis përgatitjet për finalen me Turqinë, nën atmosferë pozitive zhvillohet stërvitja e parë

Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar të shtunë stërvitjen e parë në stadiumin Fadil Vokrri, në kuadër të përgatitjeve për përballjen finale të ‘play-off’-it për Kupën e Botës ndaj Turqisë, që do të luhet të martën nga ora 20:45.

Pavarësisht motit me shi, atmosfera në ekipin kombëtar ishte shumë e mirë, me lojtarët që treguan përkushtim dhe energji pozitive gjatë seancës stërvitore në Prishtinë.

Përzgjedhësi Franco Foda kishte në dispozicion të gjithë 25 futbollistët, çka i jep mundësi të plotë për të përgatitur strategjinë më të mirë për këtë sfidë vendimtare, pas fitores së madhe në udhëtim te Sllovakia me rezultat 4-3.