LAJMI I FUNDIT:

Filmi i Piro Milkanit në kandidaturat Oskar

Filmi i Piro Milkanit në kandidaturat Oskar

Më në fund janë shpallur kandidaturat Oskar që do të konkurrojnë për filmin më të mirë në gjuhë të huaj. Presidenti i Akademisë, Sid Ganis, ka thënë se në këtë edicion të 81-të të ngjarjes më të rëndësishme kinematografike, është shënuar një rekord për vendet që kanë paraqitur filmat për konkurrim.

Janë plot 67 vende. Në listë është edhe Shqipëria. Mes titujve dallohet filmi “Trishtimi i Zonjës Shnajder” i regjisorëve Piro e Eno Milkani, ndonëse në Tiranë nuk është përfolur asgjë për këtë përzgjedhje. Pak kohë më parë u fol se edhe këtë vit nuk do të kishte asnjë film shqiptar që do të paraqitej për konkurrim.

Madje diskutimi u përqendrua se kujt institucioni i takonte ta bënte këtë punë kur drejtori i Qendrës Kombëtare Kinematografike, Ferri ishte shprehur se nuk u takonte atyre. Atëherë kur u besua se edhe këtë vit ky aktivitet prestigjioz u shpërfill, në listë del titulli i “Trishtimit të Zonjës Shnajder”.

Vetëm dy herë më parë filmat shqiptarë kanë tentuar Oscar. Në vitin 1996 me “Kolonel Bunker” të Kujtim Çashkut dhe në 2001 me filmin “Parrulat” të Gjergj Xhuvanit. Lista e nominimeve do të shpallet nga Akademia më 22 janar, ndërsa çmimet do të shpallen më 22 shkurt 2009.


Ngjarjet e “Trishtimit të Zonjës Shnajder”(një prodhim shqiptaro-çek i vitit 2007" zhvillohen në vitin 1961, kur një grup studentesh të FAMU-së, çeku Karel (Ondrej Moravec), sllovaku Artur (Kamil Kollarik) dhe shqiptari Lekë (Nik Xhelilaj) xhirojnë në Ceski Shternberk një film diplome për fabrikën e prodhimit të motorave ESO.

Në film jepet përballja e jetës së të rinjve, tërheqja e tyre për fshatin çek, jeta që ata bëjnë e më tej kthimi i detyruar I djaloshit shqiptar në vendin e tij. /bw/