Prej më shumë se dhjetë ditë Komuna e Kaçanikut ia ka vendosur drynin çerdhes publike në qendër të qytetit në të cilën ishin të sistemuar gjithsejtë 130 fëmijë. Kjo, për shkak se muri mbrojtës i oborrit të saj ka nis të shembej shkaku i vërshimeve dhe të reshurave të shiut.

Komuna e Kaçanikut me urgjencë ka kontraktuar një kompani në vlerë prej 108 mijë eurove për vendosjen e disa pilotëve të betonit dhe ndërtimin e një muri të ri mbrojtës me qëllim që objekti i çerdhes mos të dëmtohet.


Aktualisht muret e oborrit të çerdhes janë përforcuar me disa shtylla anësore derisa kompania ta bën punën e saj, por megjithatë qytetarët po ndihen të rrezikuar gjatë lëvizjes së tyre.

Sipas drejtuesve të komunës, fëmijët do të kthehen në objekt pas një jave dhe nuk ka hapësirë për shqetësime.

Kujtojmë se për ndërtimin e kësaj çerdhe vite më parë e cila ishte si donacion, komuna e pati rrënuar një fushë sportive e cila ishte po ashtu donacion nga një organizatë e huaj. E gjithë ndërtimi i saj aso kohe ishte bërë me nxitim jashtë Planit Zhvillimor Komunal dhe hartave zonale.

Qytetarët janë ankuar se prej muajsh fëmijët kanë qenë të rrezikuar dhe askush nuk ka marrë masa derisa lëvizjet e mureve të oborrit janë vërejtur në masë të madhe.

Bashkim Topojani, banor nga Kaçaniku, ka thënë për Telegrafin se muri që tashmë ka lëvizur po i rrezikon të gjithë kalimtarët e lagjes dhe po ashtu qarkullimin e automjeteve.

Sipas tij, ekzekutivi komunal duhet të jep llogaridhënie para qytetarëve për dëmtimin e buxhetit që tashmë po i kushton taksapaguesve për riparime.

“Ne e dimë se mbi 100 mijë euro nuk mund të kushton ndërtimi i një muri mbrojtës sepse me këtë shumë të parave ka mundur të rrënohet e gjithë objekti ekzistues dhe të ndërtohet një objekt i ri sëbashku me një parking nëntokësor. Por ne si qytetar jemi të shqetësuar nga rreziku që i është shkaktuar fëmijëve deri më tash dhe që po vazhdon rreziku për kalimtarët e rastit”, ka kritikuar Topojani.

Sipas tij, rrënimi i fushës sportive kohë më parë për ta ndërtuar çerdhen publike në një hapësirë të tokës ku ishte e mbushur me zhavorr ishte bërë pa u menduar mirë.

“Komuna e ka pasur çerdhen ekzistuese në një lokacion tjetër dhe është dashur me kohë të ndërtohej në atë vend, por sidoqoftë ky projekt prej kohësh është kundërshtu nga qytetarët sepse aty është një tokë e mbushur dhe nuk i përballon një ndërtimi të tillë, prandaj fëmijët kanë qenë të rrezikuar deri më tash në këtë objekt”, ka thënë më tej Topojani.

Në anën tjetër, Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi, ka thënë për Telegrafin se ndërtimi i çerdhes vite më parë është bërë sipas standardeve evropiane dhe janë vendosur pilotët e betonit me qëllim që objekti mos të lëviz.

Sipas tij, aktualisht ka lëvizur vetëm muri mbrojtës i oborrit shkaku i të reshurave dhe vërshimeve.

“Objekti i çerdhes i ka pilotet e betonit dhe nuk ka rrezik aspak për fëmijët, sepse para se të nis ndërtimi është bërë edhe fizibiliteti i tokës, ndërkaq muri mbrojtës është duke u riparuar nga një kompani e cila e ka fituar tenderin me çmimin më të lirë prej rreth 108 mijë eurove. Kompania ka me i vendos pilotët edhe përgjatë murit mbrojtës të oborrit dhe menjëherë do të vendoset muri i betonit i cili nuk do të ketë më telashe të lëvizjes. Pra fëmijët pas një jave do të rikthehen në çerdhe dhe nuk do të ketë hapësirë për shqetësime”, ka thënë Ilazi.

Sipas Ilazit, Muri ekzistues ishte ndërtuar në vitin 2007 aso kohe kur ishte ndërtuar fusha sportive, ndërkaq çerdhja është mbyllur për shkak që mos të krijohet panik për fëmijët dhe qytetarët./Telegrafi/