Site icon Telegrafi

Fillon ndërtimi i strehimores së përkohshme për qentë endacakë në Prizren

Autoritetet e Komunës së Prizrenit të mërkurën kanë vendosur gurin themeltar për ndërtimin e strehimores së përkohshme për trajtimin e qenve endacakë, në afërsi të transitit të vjetër, në dalje të Petrovës.

Sipas tyre, ky projekt i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, synon që të sigurojë kushte më të mira dhe më të sigurta për kafshët endacake.

“Ka qenë kërkesë e kamotshme, edhe nevojë, me u marrë me çështjen e qenve endacakë. Pas shumë peripecive kemi arritur që ta nënshkruajmë kontratën dhe sot po e bëjmë inaugurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e një strehimoreje, e cila do të jetë në periferi të qytetit”, ka thënë kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, raporton Telegrafi.

Sipas tij, kjo strehimore do të ndërtohet në harmoni me standardet e kërkuara dhe Udhëzimin Administrativ përkatës, duke respektuar qasjen e ndjeshme ndaj kafshëve.

“Do të jetë një strehimore e përkohshme e qenve, ku do të krijohen kushte që qentë kur të merren nga një lokalitet, të trajtohen këtu dhe pas një kohe të shkurtër të kthehen në vendin ku janë marrë, sepse kështu parashihet me legjislacionin në fuqi”, është shprehur Totaj, raporton Telegrafi.

Drejtori për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Bexhat Bytyçi ka pohuar se komuna e ka obligim ndërtimin e një strehimoreje të tillë dhe ka sqaruar se e njëjta do të ofrojë mundësi trajtimi, rehabilitimi dhe adoptimi për qentë endacakë.

Vlera e këtij projekti është mbi 300 mijë euro. /Telegrafi/

Exit mobile version