Fetai: Me Taravarin u ndamë pa asnjë fjalë të keqe, ai e shiti lojën e u bashkua me BDI-në

Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai në emisionin “Libero” me Resul Sinanin tha se me kreun e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravarin, është ndarë pa asnjë fjalë të keqe dhe me mirëkuptim.
“Politikisht u ndamë pa asnjë fjalë të keqe, me mirëkuptim. Dje sa pastroja telefonin, pashë mesazhet e fundit që kam këmbyer me të, ku më thotë "po e di, e kemi diskutuar e kuptoj qëndrimin tënd”, tha Fetai.
Ai shtoi se BDI gjen mënyrat për të thyer dhe ndarë, sipas maksimës së vjetër latine, “përçaj dhe sundo” dhe këtë e kanë bërë gjatë këtyre 22 viteve.
“Para Arbenit (Taravarit) e kishim një kryetar tjetër që quhej Ziadin Sela i cili e bëri të njëjtën para një viti duke iu bashkëngjitur BDI-së dhe në fund u fut në lista të përbashkëta me BDI-në për zgjedhjet lokale më 19 tetor.Taravari e bëri të njëjtën, 1 vit pas Selës, e bëmë një betejë atëherë për të vazhduar kursin tonë, për të bërë këtë koalicionin opozitar, pra VLEN. Ende pa u bërë gjashtë muaj qeverisje Arbeni filloi të japë shenjat e para se e ka shitur lojën, tentonte të sabotojë koalicionin në mënyrë që të shkaktohet krizë e shumicës parlamentare dhe të shkohej në zgjedhje të dyfishta”, deklaroi Fetai.



















































