Festat e shtrenjta: Çmimet rrisin barrën për familjet kosovare

Në Kosovë, festat e fundvitit nuk janë thjesht kohë gëzimi - për shumë familje, ato janë një provë reale financiare.
Çmimet e larta të produkteve bazë, ushqimore dhe të energjisë e bëjnë të vështirë përballimin e shpenzimeve festive për familjet me të ardhura mesatare dhe të ulëta.
Besim Krasniqi, punonjës në sektorin privat me një pagë prej 550 eurosh në muaj, duhet të kursejë gati gjysmën e të ardhurave mujore vetëm për të përballuar shpenzimet e natës së Vitit të Ri.
“Çdo ditë dal në dyqane dhe i hulumtoj çmimet. Një kilogram mish i terur është 26.00 euro, ndërsa mishi i kuq i viçit ka arritur në 16.00 euro. Kjo është jashtë normales”, thotë ky banor i Prishtinës për Radion Evropa e Lirë.
Familja e tij 6-anëtarëshe mbështetet vetëm te paga e tij, dhe vitin e kaluar shpenzoi rreth 200 euro për festat. Sivjet parashikon të shpenzojë të paktën 270 euro, për shkak të rritjes së çmimeve.
“I kam katër fëmijë dhe ata kanë kërkesa - dekorime, ëmbëlsira, pije, mish e gjëra tjera”, thotë Krasniqi.
Ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë se kjo rritje e çmimeve nuk është e rastësishme.
Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, thotë se tregtarët shpesh shfrytëzojnë periudhat festive për të ngritur çmimet.
Kjo situatë, sipas tij, ushtron presion të madh mbi familjet me të ardhura të kufizuara, veçanërisht kur më shumë se gjysma e pagës mujore shkon për konsum.
Statistikat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se trendi i rritjes së çmimeve ka nisur që muaj më parë.
Sipas të dhënave të fundit, në tetor të këtij viti, çmimet e konsumit janë rritur për 5.1% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Rritjet më të mëdha janë regjistruar tek energjia elektrike (+20%), pemët (+15.3%), kafeja e çaji (+13%), mishi (+12.3%), qumështi, djathi dhe vezët (+7.5%).

Paga mesatare bruto në Kosovë është 639 euro, ndërsa të dhënat e ASK-së tregojnë se mbi 55% të kësaj page qytetarët e shpenzojnë vetëm për konsum.
Ky raport i lartë mes të ardhurave dhe shpenzimeve, sipas ekspertit Mulaj, dëshmon qartë sfidat e vazhdueshme me të cilat përballen konsumatorët për ta mbajtur nën kontroll koston e jetesës.
Ai thekson se disa nga produktet kryesore në tregun kosovar, si mielli, kushtojnë më shumë sesa në tregun e Bashkimit Evropian - gjë që bëhet edhe më problematike kur merret parasysh niveli më i ulët i pagave dhe standardi i jetesës.
“Kjo shprehi e rritjes së çmimeve lë hapësirë për dyshime mbi marrëveshje të mundshme apo keqpërdorim të pozitës dominuese nga disa kompani”, thotë Mulaj
Një problem tjetër kritik mbetet mungesa e kontrollit institucional.
“Tregtarët, në një mënyrë, janë bërë aq të fuqishëm, saqë edhe institucionet ekzekutive dhe ato të pavarura e kanë të vështirë të hyjnë në një ballafaqim profesional dhe të drejtpërdrejtë me ta, sepse për 20 vjet janë konsoliduar dhe kanë arritur të krijojnë pozita të forta në tregun e Kosovës”, thotë Mulaj.
Përshtypje të ngjashme ka krijuar edhe Krasniqi, i cili thotë se blen vetëm artikuj në zbritje.
“Tregtarët nuk frikësohen. Nuk ka as kontroll të çmimeve, as inspektime”, sipas tij.
Lajmin e plotë në REL.


















































