Ferizaj në terr, japin sqarime nga KOSTT

Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu-KOSTT, bën të ditur se, si pasojë e daljes jashtë funksionit të transformatorit TR3 në NS Ferizaj 1, janë shkaktuar ndërprerje dhe reduktime në furnizimin me energji elektrike në zonën e Ferizajt.
Sipas njoftimit të KOSTT-it, me qëllim të adresimit të situatës, KOSTT ka ndërmarrë veprime të menjëhershme, duke iniciuar procedurat për zhvendosjen e transformatorit TR1 110/10 kV nga NS Skenderaj në NS Ferizaj 1, si dhe duke realizuar vlerësimin teknik dhe përgatitjen e tij për operim.
“Pas përfundimit të këtyre procedurave, do të ndërmerren me prioritet hapat e mëtejmë për stabilizimin e sistemit elektroenergjetik, ndërkohë që po bëhen përpjekje maksimale për rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit në normalitet”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se KOSTT mbetet i përkushtuar për bashkëpunim të ngushtë me KEDS për menaxhimin sa më efikas të situatës dhe minimizimin e ndikimeve.
Ndryshe, edhe ditë më parë pati reduktime te ashpra të energjisë elektrike në Ferizaj.



















































