Fermerja, Tabe Krasniqi, tregon për “Ferma Ime”, se me blegtori kishte filluar të merrej qysh para gjashtë vitesh dhe deri më tash ka arritur të menaxhojë me shumë sukses fermën e saj.

“Si në çdo punë, edhe në këtë sektor fillimi ishte i vështirë, por falë punës dhe vullnetit që kisha, si dhe ndihmës që kam marrë përmes subvencioneve nga Ministria e Bujqësisë, kam arritur që të kem sukses edhe unë si femër në këtë sektor”, thotë Krasniqi. E investimet fillestare dhe pronën, ku e ushtron këtë veprimtari, ajo tregon se janë bërë nga vëllai i saj, i cili tash jeton jashtë Kosovës. “Ky është një biznes të cilin e ka ngritur vëllai im, e po ashtu dhe toka është pronë e tij. Unë kam gjithë përgjegjësinë e menaxhimit të saj dhe në këtë biznes kam të punësuar pesë banorë të kësaj ane, si dhe shumë punëtorë tjerë sezonalë”, thotë blegtorja Krasniqi.


Në fermën e saj, aktualisht ajo ka 75 krerë lopë, ku 50 prej tyre janë lopë qumështore. Përmes teknologjisë që ka instaluar në fermë, ajo arrin të përpunoj qumështin e freskët, për të cilin e ka të siguruar edhe tregun në rajonin e Pejës.

Tabe Krasniqi përveç blegtorisë, kultivon edhe grurë në sipërfaqe prej 53 hektarë, e po ashtu edhe misër në sipërfaqen prej 20 hektarësh. “Kështu po e uli edhe koston e prodhimit”, tregon ajo.

Mbështetja për femrat fermere, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, është rritur viteve të fundit e bashkë me këtë edhe interesimi i femrave për t’u marrë me bujqësi e blegtori. Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Adil Behramaj, tregon se që prej dy viteve, të rinjve, banorëve të zonave të thella rurale dhe femrave fermere, ju kanë krijuar përparësi në sistemin e granteve.

“Vetëm gjatë vitit të kaluar kanë përfituar 54 projekte të grave fermere, në vlerë prej rreth 310 mijë euro, si dhe subvencione në vlerë prej rreth 40 mijë euro. Kanë përfituar edhe 94 gra fermere të tjera. Ndërsa gjatë vitit 2011 kanë përfituar vetëm 9 fermere grante investive në vlerë prej rreth 50 mijë euro”, tregon zëdhënësi Behramaj.

Se femrat po tregohen të suksesshme në bujqësi, tregon edhe Fatmir Selimi, përfaqësues i projektit të USAID-it “Mundësitë e Reja në Bujqësi”, të cilët kanë ofruar përkrahje për shumë femra fermere. “Mbështetje të madhe kemi dhënë edhe për femrat në bujqësi, duke i ndihmuar ato si në veprimtaritë blegtorale ashtu edhe në kultivimin e bimëve mjekuese e aromatike”, thotë Selimi për portalin ”Ferma ime”. Sipas tij, interesimi i femrave për t’u marrë me këtë sektor, është duke u rritur viteve të fundit.

Ndryshe, në mënyrë aktive me bujqësi merren gjithsej 201.321 gra fermere ose 29 për qind e të gjithë femrave në vend, ku me orar të plotë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, janë të angazhuara gjithsej 24.427 femra, me gjysmë orari 58.706 femra, ndërsa gjatë periudhës sezonale, kur rriten në masë të madhe aktivitetet bujqësore, angazhohen edhe rreth 118.188 femra të tjera. /FermaIme/Telegrafi/