Xhudistja Erza Muminoviq ka fituar medaljen e bronztë në turneun ndërkombëtar “Sofia European Open 2026”, që po mbahet në Sofje.

Në ndeshjen për medaljen e bronztë, Muminoviq triumfoi me Yuko ndaj xhudistes Ulbusin Khakimova nga Uzbekistani, duke siguruar kështu një tjetër sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.


Garën e nisi pa luftë në xhiron e parë, ndërsa në raundin e dytë mposhti me Yuko francezen Anais Perrot. Në çerekfinale, xhudistja kosovare ishte bindëse duke fituar me Ippon ndaj Fotimakhon Tursunboeva nga Uzbekistani. Rrugëtimi i saj u ndal në gjysmëfinale, ku u mposht me Ippon nga Laziza Haydarova, po ashtu nga Uzbekistani.

Sukseset e Kosovës në Sofje mund të vazhdojnë edhe më tej, pasi për medalje të bronztë në kategorinë deri në 52 kilogramë janë ende në garë Fationa Kasapi dhe Laurinë Gashi. Ndërkohë, në kategorinë deri në 57 kilogramë, Flaka Loxha po ashtu do të luftojë për vendin e tretë.

Edhe në konkurrencën e meshkujve ka shpresa për medalje, pasi Shpati Zekaj, në kategorinë deri në 100 kilogramë, është ende në garë për ta fituar medaljen e bronztë./Telegrafi

telegrafi sport app