Nga: George Monbiot / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

E di si duket “zhdukja e qytetërimit”: e kam parë grafikun. Komisioni Evropian e publikoi në mars. Është një grafik i normës totale të fertilitetit: numri mesatar i fëmijëve të lindur për grua. Pas një rritjeje të vogël gjatë 20 vjetëve të fundit, norma e BE-së duket se po bie sërish, dhe tani qëndron në 1.38. Norma e Mbretërisë së Bashkuar është 1.44. Norma e zëvendësimit të popullsisë është 2.1. Ju mund ta shihni ose jo këtë si një katastrofë, por matematikës nuk i intereson çfarë mendoni ju. Ne po rrëshqasim, sikur nga një forcë gravitacionale drejt përplasjes.


“Zhdukja e qytetërimit” është termi të cilën administrata Trump e përdori në strategjinë e saj të re të sigurisë kombëtare, të publikuar javën e kaluar. Ajo pretendoi se imigracioni, ndër faktorë të tjerë, do të çojë në shkatërrimin e qytetërimit evropian. Në realitet, pa imigracion nuk do të ketë Evropë, nuk do të ketë qytetërim dhe askush nuk do të mbetet për të debatuar mbi të.

Sigurisht, po flasim për gjëra të ndryshme. Administrata Trump duket se e sheh “qytetërimin” si pronë të bardhë dhe perëndimore, të kërcënuar nga njerëzit me ngjyrë - pavarësisht nëse kanë lindur këtu apo kanë ardhur kohët e fundit. Këtë javë, Donald Trumpi pretendoi se, me përjashtim të Polonisë dhe Hungarisë, kombet evropiane “nuk do të jenë më të shëndetshme si vende” si rezultat i imigracionit. Epo, Polonia ka një normë totale të fertilitetit prej 1.2, që do të thotë një rrëshqitje e shpejtë drejt mosfunksionimit nëse nuk lejon më shumë imigracion. “Qytetërimi”, siç ka qenë shpesh gjatë dy shekujve të fundit, në rastin e Trumpit është koncept racist dhe i supremacisë së bardhë. Zhdukja së cilës qeveria Trump duket se frikësohet, është ajo e kulturës “së bardhë”.

Një gjë e tillë nuk ekziston dhe nuk ka ekzistuar kurrë. Gjuha jonë, shkenca, matematika, muzika, kuzhina, letërsia, arti dhe - falë trashëgimisë së grabitjes koloniale dhe postkoloniale - shumëçka nga pasuria jonë, kanë origjinën diku tjetër. Kuzhina italiane mund të jetë e paimagjinueshme pa domate, por, meqë e kanë origjinë nga Amerika e Jugut, ato nuk u përdorën gjerësisht deri në shekullin XIX. Balti mund të ketë shumë pretendime të quhet pjata kombëtare e Mbretërisë së Bashkuar sesa peshku me patate të skuqura (një import portugez), pasi e ka origjinë këtu. Mishi i pjekur i Anglisë së Vjetër, nga një kafshë e zbutur në Lindjen e Mesme, konsumohej nga elita: pjesa tjetër e popullit siguronte shumicën e proteinës nga thjerrëzat (kaçamaku me bizele, pudingu me bizele, supa me bizele). Kjo ndryshoi vetëm kur u gjetën mënyrat për të konservuar dhe transportuar mishin nga kafshë të rritura në koloni. Konsumi i përhapur i mishit të viçit në Britani kërkonte zhdukjen civilizuese të popujve indigjenë në Amerikë, Australi dhe Zelandën e Re, dhe zhdukjen e ekosistemeve të tyre.

Disa sundimtarë dikur e kuptonin fuqinë e pluralizmit. Mbreti Stefan I i Hungarisë, i cili sundoi nga viti 1001 deri më 1038, vërejti se kulturat dhe njohuritë e të huajve pasuronin mbretërinë, ndërsa “një vend i unifikuar në gjuhë dhe zakone është i brishtë dhe i dobët”. Një mijë vjet më vonë, Trumpi duket se e ka harruar këtë të vërtetë të qartë.

Ajo për të cilën po flas unë, për dallim, është zhdukja reale: zhdukja e drejtpërdrejtë e shoqërisë. Sapo norma e fertilitetit bie nën 2.1, ajo vazhdon të bjerë dhe rrëshqitja drejt zeros duket e pashmangshme. Kjo nuk do të thotë se jam bërë “pronatalist” (që dëshiron rritje të lindshmërisë). Nuk jam as pronatalist, as antinatalist, pasi të dyja pozicionet janë njësoj të kota. Siç vëren David Runciman në përmbledhjen e tij të shkëlqyer në London Review of Books, kostoja e mundësisë për të pasur fëmijë rritet me mirëqenien, duke çuar pashmangshëm në rënie të normave të lindjes. Në disa pjesë të botës, ky proces filloi në shekujt XVI dhe XVII. Duket se asnjë kufizim apo nxitje nga qeveria nuk mund të ndryshojë në mënyrë të ndjeshme këtë trajektore.

Për vite me radhë kam debatuar me njerëzit të cilët duan të ulin popullsinë për arsye mjedisore. Kam theksuar se norma e rritjes sot është përcaktuar përpara se shumica prej nesh kanë lindur: siç shpjegon një raport i OKB-së, “Rritja e konsiderueshme e popullsisë vazhdon sot për shkak të numrit të madh të lindjeve në vitet 1950-‘60, që kanë sjellë baza më të mëdha popullsie me miliona të rinj që arrijnë moshën riprodhuese në brezat pasues”. Me fjalë të tjera, ata që janë të fiksuar pas numrit të madh të njerëzve, po luftojnë kundër një funksioni matematikor. Popullsia globale (dhe, në Mbretërinë e Bashkuar, kombëtare) do të vazhdojë të rritet për një kohë, përpara se të bjerë në mënyrë dramatike, kryesisht si çështje e momentit demografik.

E vetmja gjë që këta të fiksuar do të mund të bënin për të ndryshuar pikën e kulmit më shumë se për disa vite, do të ishte një vrasje masive në shkallë të paprecedentë: therja e qindra miliona njerëzve. Kjo sepse problem nuk janë normat e larta të lindjes (norma globale ka qenë në rënie që nga viti i lindjes sime, më 1963), por rritja e mbijetesës së fëmijëve dhe jetëgjatësia goxha e shtuar. Për ironi, personi që mund të ketë shkaktuar shpopullimin më të madh është Elon Musku, i vetëshpallur si pronatalist, i cili me çmontimin e USAID-it mund të shkaktojë, sipas një vlerësimi në The Lancet, 14 milionë vdekje. Ai dëshiron të shohë më shumë fëmijë të lindur, por duket se pak i intereson nëse ata mbijetojnë.

Përndryshe, nëse mbështetësit e “kontrollit të popullsisë” kanë ndonjë ndikim të rëndësishëm, ai - për shkak të përfshirjes së vonesave të gjata dhe të ndërlikuara - do të përshpejtojë rënien në anën tjetër të kurbës. Njerëzit ia kanë kushtuar jetën kësaj marrëzie.

Pse kapen pas kësaj ideje shumë kohë pasi provat janë zhdukur? Pjesërisht, besoj unë, sepse rritja e popullsisë është një kokë turku jashtëzakonisht e përshtatshme dhe një shpërqendrim nga ndikimet e konsumit: njerëzit e pasur në Veriun Global mund të fajësojnë njerëzit shumë më të varfër me ngjyrë të zezë dhe kafe në Jugun Global, për krizat mjedisore që ata vetë i kanë shkaktuar. Kalimi në një dietë me bazë bimore ose nga lëndët djegëse fosile te burimet e rinovueshme, në kontrast me ndryshimin e madhësisë së popullsisë njerëzore, janë gjëra që mund t’i bëjmë menjëherë në mënyrë njerëzore dhe efektive. Por, fajësimi i njerëzve të tjerë nuk kërkon asnjë ndryshim dhe asnjë përballje me pushtetin.

Pa imigracion, brenda disa brezash nuk do të ketë Evropë dhe as Mbretëri të Bashkuar. Obsesionet e sotme raciste do të duken të pakuptueshme për pasardhësit tanë të moshuar, të dëshpëruar për të pasur të rinj që të kujdesen për ta dhe të mbajnë vendet e tyre në funksion. Shumë shpejt, ne do të jemi duke luftuar për të tërhequr njerëz nga jashtë. Por, siç vëren Runciman, “Së shpejti nuk do të ketë mjaft imigrantë për të gjithë”.

Ndoshta kjo është arsyeja pse, në romanin e ri të Ian McEwanit, gjithmonë largpamës, Çfarë mund të dimë [What We Can Know] - i vendosur 100 vjet më vonë - fuqia globale dominuese është Nigeria, një nga të paktat vende që ende sot ka një normë fertiliteti dukshëm mbi nivelin e zëvendësimit, megjithëse edhe ajo po bie me shpejtësi.

Strategjia e sigurisë së Trumpit, si gjithë politika e ekstremit të djathtë, është njëkohësisht e pakuptimtë dhe ogurzezë. Por, mbi të gjitha, është e gabuar. /Telegrafi/