Fabrizio Romano ka dhënë një lajm të madh sa i përket të ardhmes së yllit spanjoll Dani Olmo, i cili shkëlqeu në Euro 2024 duke qenë njëri prej më meritorëve për triumfin e ‘Furisë së Kuqe’.

Olmo ishte në mesin e golashënuesve më të mirë të Kampionatit Evropian duke shënuar tre gola, të cilët i ndihmuan Spanjës ta fitojnë trofeun e parë të Euro-s që nga viti 2012.


Ditë më parë, Romano kishte zbuluar se Olmo ka një klauzolë lirimi prej 60 milionë eurosh në kontratën e tij me Leipzigun e cila skadon më datë 20 korrik dhe disa klube ishin të interesuara për shërbimet e tij,

Sidoqoftë, Romano ka raportuar tani se Manchester City nuk është në mesin e ekipeve që po synojnë transferimin e Olmos.

“Burimet nga Manchester City konfirmojnë edhe një herë tjetër se momentalisht nuk janë duke punuar në një marrëveshje për transferimin e Dani Olmos”, ka shkruar Romano në X (ish-Twitter).

Manchester Evening News gjithashtu ka shtuar se City nuk pritet që ta paguajë klauzolën e lirimit të Olmos.

dani

Ndonëse ai nuk arriti të shënojë gol në finale ndaj Anglisë, falë një ndërhyrje të tij duke e larguar topin nga vija e portës, ai ia mohoi Anglisë golin e barazimit në minutat e fundit.

Sa i përket të ardhmes së tij, Olmo kishte insistuar se ai dëshiron të fitojë trofe sezonin e ardhshëm, duke i siguruar klubet e interesuara për të se kanë kohë të paguajnë klauzolën e tij të lirimit.

“Nëse një klub më do mua, ata e dinë se çfarë duhet të bëjnë. Ka kohë deri më 20 korrik për këtë klauzolë, përndryshe më vonë negociatat do të jenë të vështira”, ka thënë spanjolli./Telegrafi/

telegrafi sport app