Site icon Telegrafi

“Është koha që KEDS dhe Qeveria të japin llogari”, Sejdiu ngre dyshime për transparencën e KEDS-it

Analisti politik, Dardan Sejdiu, ka reaguar pas paralajmërimeve për një rritje të mundshme të tarifave të energjisë elektrike, duke vënë në pikëpyetje transparencën dhe menaxhimin e KEDS që nga privatizimi i tij në vitin 2013.

Sejdiu thekson se privatizimi i KEDS ka sjellë një histori me dy fytyra.

Sipas tij, konsorciumi blerës, Çalik & Limak, kishte premtuar investime prej 300 milionë eurosh për modernizimin e rrjetit, uljen e humbjeve dhe instalimin e njehsorëve inteligjentë. Megjithatë, sipas tij, realiteti ka rezultuar ndryshe.

“KEDS ka qenë jashtëzakonisht jo-transparent. Pasqyrat e saj financiare të audituara dorëzohen vetëm tek ZRRE-ja dhe nuk publikohen lehtësisht për publikun,” ka shkruar Sejdiu.

Ai ka theksuar se, ndërkohë që fitimet e kompanisë vazhdojnë të rriten, e njëjta gjë po ndodh edhe me çmimet e energjisë elektrike, ndërsa përfitimet e premtuara nga privatizimi nuk janë reflektuar te konsumatorët.

“Edhe kur fitimet e KEDS janë të dukshme – rreth 31 milionë euro në vitin 2015 dhe 25 milionë euro në vitin 2016 – qytetarët ende nuk kanë një pasqyrë të qartë mbi investimet e premtuara. Deri në shtator 2022, KEDS pretendon se ka investuar 203 milionë euro, por raportet e ekspertëve dhe analizat e pavarura ngrejnë dyshime serioze mbi këto shifra,” ka shtuar ai.

Sejdiu ka bërë thirrje për më shumë transparencë dhe llogaridhënie nga KEDS dhe autoritetet shtetërore.

Ai kërkon publikimin e raporteve financiare dhe krijimin e një komisioni hetimor për të verifikuar investimet e pretenduara.

“Është koha që KEDS, qeveria dhe autoritetet të japin llogari. Energjia është një nevojë jetike, dhe qytetarët meritojnë transparencë të plotë mbi mënyrën se si menaxhohet ky sektor,” përfundon Sejdiu./Telegrafi/

Exit mobile version