Është hapur Panairi i Librit në Prishtinë, shtëpia botuese “Dukagjini” me risi të shumta

Këtë të mërkurë ka hapur dyert, për të 25-tën herë me radhë, Panairi i Librit në Prishtinë.
Qysh në hapje, lexues e dashamirë të librit u drejtuan për te Pallati i Rinisë, hapësira mikpritëse e panairit për tash e sa vjet.
Stenda e shtëpisë botuese “Dukagjini”, si përherë, mirëpriti lexuesit me shumë tituj të rinj, zbritje, aktivitete e lojëra fati, që u mirëpriten jashtëzakonisht mirë nga vizitorët.
Gjatë pesë ditëve sa zgjat panairi, “Dukagjini” në secilën ditë sjell edhe “Happy Day” - një tjetër mundësi fantastike që të merrni tituj të ndryshëm me 50 % zbritje.
“Rrota e fatit” gjithashtu ju pret çdo ditë në stendën “Dukagjini”. Kjo lojë do të zhvillohet në një interval të caktuar kohor prej një ore.
Të gjithë vizitorët që kanë fatin të jenë në stendën “Dukagjini” gjatë asaj kohe, do të kenë mundësinë të luajnë dhe të fitojnë një nga shpërblimet e shumta që janë përfshirë në "Rrotën e fatit".
Sipas përfaqësuesve të shtëpisë botuese “Dukagjini”, këtë vit përveç që kanë sjellë tituj nga më të ndryshimit, janë munduar të sjellin edhe aktivitete të ndryshme për të gjitha moshat.
“Për këtë panair, për herë të parë vjen e plotë seria e Hermann Hesses me plot 16 tituj. Gjithashtu, është përmbyllur edhe kolana “Effugium”, e cila është mbështetur nga “Evropa Kreative” dhe mund ta gjeni gjatë pesë ditëve të panairit me një zbritje prej 30 %. Për më të vegjlit tanë, e sjellim po ashtu të plotë serinë e lektyrave shkollore për klasat 1, 2, 3, 4 dhe 5, si dhe shumë e shumë tituj të tjerë për të gjithë tipat e lexuesve”, - ka deklaruar Liridona Bytyçi, redaktore gjuhësore në shtëpinë botuese “Dukagjini”.
Lexues të shumtë ishin të interesuar menjëherë për blerjen e librave të ndryshëm qysh në hapje.
Oliver Sejdaj u shpreh se interesimin do të duhej të ishte ende më i madh për Panairin e Librit në Prishtinë, përderisa ai tashmë kishte bërë blerjet e veta me tituj të ndryshëm të letërsisë klasike, greke e romake.
Në stendën “Dukagjini” takuam gjithashtu edhe nxënës të shkollës fillore “Ismail Qemajli”, të cilët, të shoqëruar nga mësueset e tyre, po bënin zgjedhjet e tyre e, po ashtu, nuk munguan edhe dhuratat nga “Dukagjini”.
“Sot kam ardhur në panair për të blerë ndonjë libër, sepse mua më pëlqen shumë të lexoj, zakonisht në muaj i lexoj deri në 6 libra. Më së shumti më pëlqejnë ata me aventura dhe fantazi”, - ka theksuar nxënësja Amira Çitaku.
Jua rikujtojmë se te stenda “Dukagjini” gjatë këtyre ditëve do të ketë edhe takime me autorë të ndryshëm. Një takim i përzemërt me autorin Rafet Rudi për librat “Refleksione mbi muzikën” dhe “Libri im i kujtimeve” ju pret nesër, më 13 qershor, ditën e premte, në orën 12:00.
Ndërsa, më datë 14 qershor, ditën e shtunë, në orën 13:00 do të keni mundësi ta takoni dhe të bashkëbisedoni me autoren Drenusha Zajmi-Hoxha për librat “Bota në një fëmijë” dhe “Unë jam milingonë”.
Librat vijnë ekskluzivisht për Panairin e Librit në Prishtinë dhe do të mund t’i merrni me zbritje prej 30 %, si dhe me nënshkrim të autorëve.
Panairi i Librit në Prishtinë do të jetë i hapur deri më 15 qershor.















































