Erjon Gashi, 18-vjeçari që po çmend me gola në futbollin kosovar: 13 gola në 7 ndeshje dhe tre herë het-trik me fanellën e Rahovecit

Sulmuesi i ri nga Gjakova, Erjon Gashi, po kalon një formë të jashtëzakonshme te Rahoveci në Ligën e Dytë, ku po luan si huazim nga Vëllaznimi.
Në vetëm 7 ndeshje ka shënuar 13 gola, përfshirë tre het-trik spektakolarë, duke u kthyer në një nga futbollistët më të rrezikshëm të kampionatit.
Në një intervistë për Telegrafin, sulmuesi Gashi rrëfeu emocionet e tij për këtë sezon dhe formën që po kalon me klubin e Rahovecit.

"Sinqerisht, ndihem jashtëzakonisht mirë. Kjo është periudha ku po tregoj veten më së miri. Kam punuar shumë gjatë verës, fizikisht dhe mentalisht, dhe tash po shoh rezultatet. Me 13 gola në 7 ndeshje, përfshi tre het-trik, ndjej që jam në formën më të mirë të deritanishme. Jam i lumtur që po i ndihmoj ekipit dhe po e shpërblej besimin e trajnerit. Ndihem i lirë, kreativ dhe i uritur për gola çdo lojë", tha fillimisht sulmuesi i talentuar.
Sa i përket të ardhmes, Gashi është realist dhe i fokusuar, ndërsa edhe pse te Rahoveci po ndjehet shumë mirë, por mendjen e ka te Vëllaznimi.
"Në futboll gjithmonë them: dera duhet të jetë e hapur, por zemra ime e di kah synon. Rahoveci më ka dhënë mundësinë të rritem dhe unë po jap maksimumin për këtë fanellë. Megjithatë, Vëllaznimi është klubi i qytetit tim, aty e kam filluar rrugën dhe normal që ka një vend të veçantë për mua. Në fund të ditës, dua të marr vendimin që më çon më lart si futbollist. Prioriteti im është të zhvillohem dhe të jem aty ku mund të shpërthej edhe më shumë", deklaroi Gashi.

Synimi i tij për këtë sezon është i qartë, të kthehet në Ligën e Parë, pastaj të bëjë emër në futbollin tonë.
"Të vazhdoj me bujë, të tregoj nivel të lartë çdo ndeshje dhe të jem gati për hapin e madh – të imponoj veten në Ligën e Parë me fanellën e KF Vëllaznimit. Dua të dëshmoj se edhe pse jam 18 vjeç, kam karakterin, punën dhe mentalitetin për të qenë lider në fushë. Dua të mbyll sezonin me sa më shumë gola, të ndihmoj ekipin dhe të bëhem emër që përmendet në futbollin e Kosovës", përfundoi ai.
Forma e shkëlqyer e Gashit po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e adhuruesve dhe skautëve, dhe nuk është çudi që së shpejti ekipet nga Liga e Parë dhe Superliga e Kosovës do ta kenë si cak kryesor.

Erjon Gashi po dëshmon se është një nga talentet më premtuese të brezit të tij dhe e ardhmja e tij në futbollin kosovar duket më shumë se premtuese. /Telegrafi/

















































