Site icon Telegrafi

Elhaida Dani, Esmeralda shqiptare e “Notre-Dame de Paris”?

Dëshira për artin, muzikën në veçanti nuk e zbapsën Elhaida Danin në synimin që zërin e saj ta dëgjonte e gjithë bota. Dikur ishte një Elhaida e vogël, e brishtë e plot dëshira! Sot, kritikët e quajnë një Esmeralda të fortë dhe brilante. Sepse ajo nuk këndon, apo interpreton thjesht Esmeraldën në muzikalin “Notre-Dame de Paris”

Ajo është një Esmeraldë! E të tilla vlerësime, vetëm na kujtojnë faktin se çfarë artisteje e jashtëzakonshme është Elhaida Dani.

Rrugës drejt suksesit në skenat italiane, por jo vetëm, fati e deshi që të takonte njeriun të cilit sot i është thellësisht mirënjohëse! Ai i dhuroi fitoren në “The Voice of Italy” dhe të gjithë i kujtojmë emocionet dhe interpretimin e tyre drithërues.

Riccardo Cocciante, këngëtari i dashur edhe për shqiptarët është mentori absolut i suksesit dhe zhvillimit artistik për Elhaida Danin. Bashkarisht ata i kanë dhënë zë një tjetër kryevepre botërore siç është muzikali “Notre-Dame de Paris”, ku këngëtarja shqiptare ka një nga rolet më të rëndësishme dhe është pjesë e kastës së përzgjedhur të artistëve interpretues. I kanë rënë botës kryq e tërthorë duke u ngjitur në skenat më të njohura.

Në këtë intervistë për Class, Elhaida Dani ndoshta për të parën herë rrëfen me dozat e vërtetësisë disa të pathëna që pakkush i ka ditur deri më sot.

Elhaida, sapo je rikthyer nga një turne botëror, me shfaqjet në vende dhe kontinente të ndryshme si protagonistja absolute e “Notre-Dame de Paris”. Si ndihesh si një Esmeraldë?

Sapo jam kthyer në Evropë pas një turneu të gjatë botëror. Kam prekur dhe kënduar në kontinente dhe kultura të ndryshme dhe kjo gjë më ka rritur shumë profesionalisht dhe personalisht. Esmeralda është ai personazh që jeton në mua prej pothuajse tre vitesh tashmë, është bërë pjesë e përditshmërisë sime.

Publiku i ngritur në këmbë duke ju duartrokitur gjatë është emocion i madh për çdo artist që ngjitet në skenë. Ti cilën prej shfaqjeve të tua në gjithë këto muaj do të veçoje nga turi botëror?

Në këtë produksion madhështor ku performoj kam fatin të përjetoj çdo natë në skenë ‘standing ovation’ e publikut. Nuk mund të veçoj asnjë publik në veçanti pasi çdo spektator dhe çdo shfaqje është unike.

Sapo je kthyer nga Pekini dhe shumë shpejt kthehesh në Itali për të nisur turin e jashtëzakonshëm të shfaqjeve me “Notre-Dame de Paris”. Çfarë mendon se do të ketë ndryshe performanca në tokën italiane?

Sapo jam kthyer nga Pekini dhe të nesërmen pas 16 orësh fluturim kam filluar provat në Romë. Është hera e parë që performoj këtë spektakël në gjuhën italiane dhe në tokën italiane prandaj për mua është një sfidë e re. Por duke parë suksesin që ka mbartur në gjithë këto vite më bën vetëm të jem e paduruar për të ngjitur skenën për të performuar.

Cilat janë pritshmëritë e tua për turneun e shfaqjeve të tua në Itali?

Kalendari i këtij turi është me të vërtetë i ngjeshur plot data, do të jetë një vit me shumë udhëtime e shfaqje në të gjithë Italinë. Të rikthehem në shtetin që më mirëpriti dhe i dha hovin karrierës sime para gjashtë vitesh me një projekt kaq madhështor më lumturon shumë.

Në këtë angazhim artistik ti nuk je vetëm! Bashkë me artistin e madh Riccardo Coccianten që njëherësh është edhe kompozitori i muzikës së këtij muzikali ju formoni një dyshe fantastike artistësh profesionistë. Mendon se Riccardo ka gjetur një Esmeraldë tek ty?

Riccardo është ai që më solli fitoren në ‘The Voice of Italy’, është ai që në vite me shumë përulësi ka udhëtuar në Shqipërinë time për të më mbështetur në evente të rëndësishme dhe ka njohur dhe dashuruar kulturën tonë. Është ai që prej tashmë tre vitesh më ka besuar rolin kryesor në këtë kryevepër që ka kompozuar. Kështu që besoj që tek mua ka gjetur një Elhaida të vogël që në vite është rritur dhe kthyer në një Esmeraldë të fortë!

Çdo të thotë për një artiste shqiptare të mbajë peshën e një roli kaq të rëndësishëm që ndër vite është interpretuar në skenat më madhështore të botës nga artistë të ndryshëm. Çdo të thotë për ty të jesh një Esmeraldë shqiptare e  “Notre-Dame de Paris”?

Kjo botë është kaq e madhe dhe populli shqiptar nuk është aq i madh në numër, prandaj është gjithmonë krenari e madhe kur marrë lajme që shqiptarët kanë sukses në çfarëdo fushe të jetës jashtë Shqipërisë. Prandaj dhe për mua të jem një shqiptare që prek skenat botërore më bën të ndjehem vetëm krenare.

A e bërtet me zë të lartë faktin që je shqiptare?

Gjithmonë! Dua që çdo njeri që takoj për herë të parë të ndahet nga unë me një ndjesi pozitive dhe kuriozitet për të njohur më shumë për Shqipërinë!

Shkoi gjithçka sipas parashikimeve në turin tuaj botëror të shfaqjeve artistike apo pati diçka që doli jashtë kontrrollit?

Në një nga shfaqjet që patëm në Shanghai kishin parashikuar një stuhi të quajtur Typhoon me erë të fortë mbi 200km/h, prandaj ishte parashikuar evakuim i banesave dhe teatrove, duke qenë se nuk kishim parë më përpara një stuhi tropikale të tillë patëm pak frikë. Por, për fat të mirë natyra u tregua e mirë me ne dhe koncertet vijuan pa asnjë problem.

Ka pasur një moment të sikletshëm gjatë interpretimit në skenë për ty?

Sigurisht, kur je në skenë duke interpretuar për tre orë mund të ketë edhe momente të sikletshme. Njëri nga më të sikletshmit për mua është momenti dramatik kur Esmeralda vdes e varur dhe frika ime më e madhe është që një ditë teknikët e skenës nuk do jenë të vëmendshëm dhe do më varin prej vërteti(qesh). Por, kur jeton në skenë edhe të vdesësh po prapë aty nuk më duket aq tragjike!

Emocionet më të jashtëzakonshme në cilën skenë i ke provuar?

Sa me fat ndihem që jetoj një jetë që më lejon të kem një karrierë që më jep kaq emocione. Paska qenë e vërtetë ajo shprehja që thotë: ‘Bëj atë që do dhe nuk do duhet të punosh asnjë ditë në jetën tënde”. Emocionet më të forta i kam përjetuar që në fillim të këtij rrugëtimi artistik në Shqipëri dhe çdo ditë i përjetoj në çdo skenë që prek.

Ju thatë që kulmi i turneut italian do të jetë në teatrin e Veronës, ku qindra e mijëra fansa dhe artdashës të muzikës tuaj do të jenë aty prezent për t’ju ndjekur nga afër. Je e emocionuar?

Që e vogël ëndërroja të këndoja në ‘Arena di Verona’, një artist e di mirë çfarë do të thotë… Do të performojmë në Verona në datat 3-4-5-6 tetor dhe unë mezi po pres të prek këtë skenë përherë të parë. Madje do të jetë dhe hera e parë që familja ime do të vijë të më shoh të performoj Esmeraldën dhe kjo i bën këto data akoma më speciale.

Nga “The Voice of Italy” çfarë ka ndryshuar nga raporti yt me këngëtarin e madh Riccardo Cocciante? A do e konsideroje atë një mentor të artit dhe muzikës tënde?

Edhe pse ka vite që njihemi dhe bashkëpunojmë tashmë, mund të them që ajo që ka ndryshuar mes nesh është shumë pak. Vazhdoj ta shoh me shumë admirim dhe të mësoj nga ai çdo ditë, vazhdoj t’i drejtohem me emrin Maestro dhe vazhdoj të kem emocione sa herë duhet të ngjitem në skenë me të.

Ti ke gati një surprizë të madhe për të gjithë fansat e tu. Dy fjalë më shumë për këtë?

Më në fund do të sjellë këngën time më të re: #CLEANUPYOURMESS. Këtë herë është me të vërtetë një Elhaida ndryshe. Një sound shumë modern dhe i ri që unë po e dashuroj! Është një bashkëpunim me Dj. Gjerman Plastik Funk dhe një prodhim nga shtëpia diskografike Sony Germany.

Ti tashmë je një artiste e afirmuar në tregun italian dhe një figurë shumë e dashur për publikun atje, me gjasë edhe në Europë. Nëse ktheni akrepat e orës mbrapsht dhe kujtoni, sa e vështirë ishte rruga drejt famës dhe suksesit?

Është një rrugë që nuk mbaron kurrë. Suksesin duhet ta shohësh si një lule, e cila nëse ka lulëzuar por ti ndalon së ujituri ajo do të vyshket. Prandaj është një punë non-stop, shumë determinim dhe net pa gjumë për të arritur qëllimet që ke, në Shqipëri, në Itali dhe kudo në botë.

Cili është kujtimi më i keq që keni nga fillimet tuaja në Itali?

Isha 19 vjeç kur u nisa për të marrë pjesë në ‘TVOI’ në 2013-ën. Mbaj mend që kur avioni mbërriti në Romë dhe ndalova në doganë për kontrollin e pasaportave më pyetën se sa lekë kisha me vete, unë përgjigjem duke thënë se kisha me vete një shumë qesharake pasi në atë kohë ajo ishte mundësia ime ekonomike. Dhe kështu më ndalojnë të futem në Itali pasi nuk kisha mjaftueshëm para me vete…Mbaj mend 12 orë në aeroport mes policisë, një vajzë e trembur që nuk komunikonte akoma në italisht dhe nuk kishte as mundësinë për të telefonuar familjen për t’i treguar çfarë kishte ndodhur…

Si ka ndryshuar jeta jote pas famës?

Zgjohem çdo mëngjes mirënjohëse për jetën që jetoj. E vërtetë, ndjej mungesën e familjes sime dhe më mungon shtëpia ime ngaqë jam në udhëtim non-stop, por ia vlen pasi kjo jetë më jep shumë emocione.

Idhulli që ju ka frymëzuar ndër vite në muzikë?

Whitney Houston, Aretha Franklin, Michael Jackson. Muzika soul , R&B, Gospel.

Cila është ambicia jote më e madhe sa i takon karrierës?

Pse jo Grammy?

Tri cilësitë që ju identifikojnë për artisten që jeni sot?

Thjeshtë, pastër, bukur!

Ti e di që veçmas artit dhe muzikës, fansat “vdesin” të dinë më shumë për jetën tënde private. Është e dashuruar Elhaida Dani?

Për momentin jam single!

Si e përcakton mashkullin tënd ideal?

Dikush që respekton lirinë time dhe stilin tim të jetës.

 

Exit mobile version