Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, sot publikoi disa pamje, duke thënë se ka ndodhur një eksplodim i kazanit në Termocentralin Kosova A, Blloku A4.
Në lidhje me këtë Shala në një prononcim për Telegrafin ka thënë se lajmi është plotësisht i vërtetë dhe se shqetësimet e tij janë diku tjetër.
Sipas tij, shqetësuese është fakti që menaxhmenti i KEK-ut dhe Qeveria e Kosovës janë munduar ta mbulojnë këtë avari.
”Është e vërtetë që statusi im është 100 për qind i sigurt, dhe i konfirmuar nga menaxhmenti i KEK-ut. Shqetësuese është që KEK-u pas disa orësh masi ka ndodh avaria, janë munduar bashkë me Qeverinë e Kosovës me mbulu, po ashtu edhe dëmin ekonomik. Falënderim i veçantë ju shkon zjarrfikësve. Dëmet janë të pallogaritshme pasi është çështje e procedurave që do të bëhen në ndërkohë në ekspertizat teknike të dëmeve të shkaktuara”, ka thënë Shala.
Sipas tij, Termocentrali blloku A-4 për shkak të kësaj avarie është jashtë fuksionit.
“Po çka është tepër e rëndësishme që Termocantrali Kosova, blloku A-4 është jashtë funksionit si rezultat i këtij eksplodimi dhe kapacitetet prodhuese të termocentraleve tona nga ky moment janë minus 125-135 Mega Wat më pak”, ka thënë Shala.
Ndërsa, nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka thënë se nuk ka vend për shqetësim në lidhje me operimin dhe sigurinë në njësitë e TC Kosova A.
Në reagim thuhet se Njësia A4 është ndalur për shkak të një lidhjeje të shkurtër në kabllot e matjeve, dhe është shkyçur nga puna në mënyrë të rregullt. /Telegrafi/