Ekonomia globale po vuan nga efekti Rashomon

Burimi: The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Për shumë vite më ka habitur - dhe vazhdon të më habisë - mënyra se si tregjet i injorojnë ngjarjet më dramatike politike dhe ekonomike. Pandemitë, luftërat, rrëzimi i sistemit global tregtar, ngritja e nacionalizmit të djathtë dhe populizmit të majtë - asgjë nuk duket se i shuan instinktet e investitorëve.
Janë dhënë shumë arsye për këtë: nga fitimet ende të larta të korporatave, te premtimi i inteligjencës artificiale, apo e ashtuquajtura tregtia “Taco”. Por, unë do të doja të propozoja një arsye tjetër: bota thjesht nuk ka arritur ende një narrativë të re ekonomike. Derisa kjo të ndodhë, ka gjasa të qëndrojmë në një periudhë të një stagnimi të pasigurt të tregjeve.
Historikisht, ekonomitë politike priren të përcaktohen nga narrativa të mëdha dhe gjithëpërfshirëse. Merkantilizmi i shekullit të tetëmbëdhjetë i la vendin laissez-faire-it të shekullit të nëntëmbëdhjetë, i cili në fund çoi në kejnesianizëm, i cili më pas u zëvendësua nga revolucioni Reagan-Thatcher dhe epoka neoliberale.
Por, sot nuk ekziston një narrativë e vetme se ku ndodhemi apo çfarë na pret. Në vend të saj, ekzistojnë disa narrativa konkurruese për globalizimin, inflacionin, tregjet e kapitalit, politikën dhe teknologjinë. E gjithë kjo krijon një lloj efekti Rashomon - të njëjtat të dhëna dhe ngjarje mund të interpretohen në mënyra të kundërta nga pjesëmarrës të ndryshëm të tregut.
E dimë, për shembull, se sistemi tregtar global është në ndryshim. Që nga viti 2017 ka pasur më pak tregti mes partnerëve gjeopolitikisht të largët. Ekonomitë kryesore tani po “ishullizohen”, siç thotë firma konsulente Kearney, duke u fokusuar te vetëmjaftueshmëria kombëtare dhe jo te integrimi global.
Megjithatë, siç më tha një pjesëmarrës aziatik në një konferencë për CEO që ndoqa dy javë më parë, e gjithë kjo “ndodh në një spektër”. Nëse je në Paqësor, “ka më shumë globalizim se më parë dhe ka gjasa të ketë edhe më shumë”.
Sipas raportit të fundit nga McKinsey mbi ndryshimet në tregtinë globale, nga 50 korridoret më të mëdha tregtare të sotme, 16 prej tyre do të rriteshin ndjeshëm edhe në kushtet e një rritjeje prej 10 për qind të tarifave globale dhe një rritjeje prej 60 për qind të tarifave ndaj Kinës dhe Rusisë. Këto janë rrugët e reja që lidhin ekonomitë në zhvillim, nga India deri në Lindjen e Mesme.
Efekti Rashomon po shfaqet edhe në nivel kompanish. Industria ku ti bën pjesë, padyshim që ka rëndësi e madhe. Por, edhe madhësia ka rëndësi. Ndërprerja e tregtisë e shkaktuar nga tarifat do të jetë thjesht një përparësi tjetër për kompanitë e mëdha, sepse ato mund të mobilizojnë më shumë burime, sesa të voglat, për të zbutur pasojat.
Disa CEO dhe ekspertë të zinxhirit të furnizimit me të cilët kam folur kohët e fundit, thonë se ka pasur aq shumë optimizëm për zinxhirin e furnizimit pas pandemisë, në kompanitë e mëdha, saqë shumë prej tyre do të jenë në gjendje të përthithin 80 për qind ose më shumë të presionit inflacionist të shkaktuar nga tarifat, përmes rritjes së efikasitetit.
Por, jo edhe për lojtarët e tjerë. JPMorgan thotë se tarifat e vendosura nga Donald Trump do t’u kushtojnë bizneseve të mesme amerikane 82 miliardë dollarë, ose tre për qind të listës së pagave - gjë që me shumë gjasë do të nënkuptojë shkurtime të stafit dhe marzhe më të ngushta fitimi. Ndërkohë, ekonomistët shqetësohen se shumë biznese të vogla thjesht do të falimentojnë.
Nëse kjo ndodh - dhe është diçka që zyrtarët rajonalë të Rezervës Federale kanë nisur ta ndjekin nga afër - atëherë do të ketë një ndikim të pabarabartë mbi punësimin dhe shpërndarjen e pasurisë në zonat rurale dhe qytetet e vogla, të cilat kanë më pak punëdhënës të mëdhenj. Kjo do të përkeqësonte efektin e “yjeve gjeografikë”, ku banorët urbanë që punojnë për korporata të mëdha përfitojnë, ndërsa pronarët e bizneseve të vogla dhe punëtorët në zona më pak të populluara nuk përfitojnë.
Kjo ndarje është pjesë e asaj që ushqen politikën e paqëndrueshme në ShBA dhe shumë vende të tjera. Në Amerikë tani, si populizmi i djathtë ashtu edhe ai i majtë, janë në rritje. Ata që ndihen të shtypur në “shtetet e kuqe” (republikane) mund të votojnë për MAGA-n, ndërsa të rinjtë liberalë që nuk përballojnë dot qiranë në Nju-Jork, mbështesin Zohran Mamdanin, një socialist demokrat që mund të bëhet kryetari i ardhshëm i qytetit.
Dyshoj se kjo narrativë do të përsëritet edhe në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, nëse demokratët zgjedhin një kandidat populist ekonomik - gjë që kanë çdo arsye ta bëjnë, duke qenë se centristët, përfshirë Kamala Harrisin, kanë dështuar. Por, kjo dinamikë hap derën për edhe më shumë pasiguri në lidhje me të ardhmen e ShBA-së.
Sipas një sondazhi të fundit nga Banka e Gjermanisë, investitorët janë pothuajse të ndarë në mënyrë të barabartë nëse besojnë në të ardhmen e “përjashtueshmërisë amerikane” apo jo. Dyzet e katër për qind janë optimistë duke besuar se, në fund të fundit, asnjë vend tjetër nuk mund të konkurrojë me ShBA-në për rritje dhe dinamikë, pavarësisht ngjarjeve të fundit. Por, 49 për qind mendojnë se pozita e Amerikës në botë do të gërryhet ngadalë në vitet e ardhshme. Shtatëdhjetë e tetë për qind preferojnë të mbajnë euro në vend të dollarit gjatë vitit të ardhshëm, ndonëse raporti është 50/50 në një periudhë pesëvjeçare.
Sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo pasiguri, kemi edhe inteligjencën artificiale për ta marrë parasysh. A do ta rrisë ajo produktivitetin, duke mbajtur të larta fitimet dhe çmimet e aksioneve? Apo, shumë shpejt do të zëvendësojë shumë vende pune, duke shkaktuar papunësi më të lartë dhe një reagim edhe më të fortë populist? Apo, asnjërën nga të dyja këto? Cilat vende dhe kompani do të dalin fituese? A do të mundemi t’i përballojmë koston e energjisë dhe ujit?
Nuk ka një përgjigje të qartë për asnjërën nga këto çështje. Nuk kam parë kurrë më parë kaq shumë faktorë të mundshëm, me ndikim në treg dhe që ndodhin njëkohësisht, gjatë gjithë karrierës sime. Fakti që tregjet ende nuk e pasqyrojnë këtë, nuk do të thotë se nuk do ta bëjnë. /Telegrafi/

















































