Edicioni i pestë i Ligës së Kombeve: Data e shortit, përballja e ndaluar dhe rivalët e fortë të Kosovë

Edicioni i pestë i Ligës së Kombeve të UEFA-s do të nisë më 24 shtator 2026, duke shënuar vazhdimin e një gare që ka zëvendësuar ndeshjet miqësore dhe që njëkohësisht sjell përfitime financiare për federatat nacionale dhe vetë UEFA-n.
Liga e Kombeve përbëhet nga katër nivele, ndërsa Kosova për herë të parë në histori do të garojë në Ligën B, nivelin e dytë të kësaj gare.
Kjo u arrit vitin e shkuar, kur Kosova mposhti Islandën në play-off, duke siguruar vendin në Ligën B.
Nga Liga D në Ligën B – rrugëtimi i Kosovës
Në edicionin e parë (2018/19), Kosova ishte pjesë e Ligës D, niveli i katërt dhe i fundit. Më pas, për tri edicione radhazi, “Dardanët” garuan në Ligën C.
Promovimi në Ligën B për edicionin 2026/27 erdhi falë dy fitoreve në play-off ndaj Islandës, në mars të vitit të kaluar, një sukses historik për përfaqësuesen kosovare.

Shorti dhe vazot: Kosova në vazon e katërt
Shorti për edicionin e ri të Ligës së Kombeve do të hidhet më 12 shkurt në Bruksel. Kosova do të jetë në vazon e katërt, së bashku me Suedinë, Maqedoninë e Veriut dhe Irlandën e Veriut.
Vazoja 1: Skocia, Hungaria, Polonia, Izraeli
Vazoja 2: Zvicra, Bosnjë-Hercegovina, Austria, Ukraina
Vazoja 3: Sllovenia, Gjeorgjia, Irlanda, Rumania
Vazoja 4: Suedia, Maqedonia e Veriut, Irlandën e Veriut, Kosova.

Përballja e vetme e ndaluar, ndaj Bosnje-Hercegovinës
Kosova do të ketë në grup nga një përfaqësuese nga secila prej tri vazove të para. Përballja e vetme e ndaluar: Kosova – Bosnjë-Hercegovinë.
Sipas vendimeve të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, Kosova nuk mund të përballet me Bosnjë-Hercegovinën, ndonëse kjo e fundit ndodhet në vazon e dytë.
“Bazuar në vendimet e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, ekipet që nuk mund të jenë në një grup janë: Bosnjë-Hercegovina (Liga B, vazo 2) – Kosova (Liga B, vazo 4)”, thuhet në njoftimin zyrtar të UEFA-s.
Që nga viti 2016, UEFA ka ndaluar përballjet e Kosovës me Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën për arsye sigurie, ndërsa në vitin 2019 u ndaluan edhe ndeshjet Kosovë – Rusi.

Rumania dhe Ukraina, sfida potenciale me histori tensioni
Ndër përballjet potencialisht më të ndërlikuara për Kosovën janë ato me Rumaninë. Të gjitha ndeshjet e mëparshme mes dy përfaqësueseve janë shoqëruar me tensione politike dhe sjellje fyese nga tifozët rumunë, përfshirë thirrje provokuese edhe në Prishtinë.
Edhe ndeshjet e kaluara me Ukrainën kanë pasur elemente ndjeshmërie politike, çka e bën grupin e Kosovës potencialisht shumë interesant dhe delikat.
Datat e ndeshjeve dhe fokusi aktual i Kosovës
Ndeshjet e fazës së ligës do të zhvillohen nga 24 shtatori deri më 17 nëntor, me nga dy ndeshje në shtator, tetor dhe nëntor.
Megjithatë, aktualisht i gjithë fokusi i Kosovës është te play-offi për kualifikim në Kupën e Botës 2026. Më 26 mars, “Dardanët” luajnë ndaj Sllovakisë në Bratislavë në gjysmëfinale, ndërsa në rast fitoreje, më 31 mars do të përballen me Turqinë ose Rumaninë në finale.
Fituesi i finales siguron biletën për Botërorin 2026, që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Ligë më lart se Sllovakia, konkurrencë më e fortë
Derisa Kosova do të garojë në Ligën B, Sllovakia mbetet në Ligën C, çka do të thotë se nuk mund të ketë përballje mes dy përfaqësueseve në Ligën e Kombeve.
Në Ligën B, ku do të garojë Kosova, ndodhen përfaqësuese shumë më të forta, duke e bërë këtë edicion një sfidë të madhe, por edhe një test real për nivelin e “Dardanëve”. /Telegrafi/




















































