Site icon Telegrafi

Edhe liqeni i Pogradecit futet nën mbrojte të UNESCO-s

Gadishulli i Linit, me pasuritë e shumta natyrore dhe kulturore, burimet e Drilonit, korani por edhe shumë elementë të tjerë të liqenit të Ohrit kanë bërë që ai të jetë pjesë e UNESCO-s.

Pas Maqedonisë së Veriut, e cila e përfitoi statusin në vitin 1979, për pjesën shqiptare të këtij liqeni kanë qenë përpjekje të vazhdueshme për vite të tëra të cilat tashmë janë finalizuar duke bërë që kjo pasuri natyrore të ruhet dhe të ketë statusin e veçantë, raporton Tch.

Por gjithsesi, tashmë që kjo arritje është realizuar për liqenin e Pogradecit, sfidat janë të shumta.

Liqeni i Ohrit llogaritet si një prej 3 liqeneve më të vjetra në botë. Kthjelltësia e ujit, harmonizimi i relievit malor me liqenin vlerat dhe sitet e shumta arkeologjike kanë bërë që sipas specialistëve ai të klasifikohet si një pasuri natyrore dhe kulturore.

Në vitin 1979, si pasojë e sistemit politik të kohës, pjesa shqiptare e liqenit të Ohrit mbeti jashtë listës së pasurive botërore të UNESCO-s. U deshën plot 40 vite që kjo pjesë, ashtu si edhe pjesa maqedonase, të jetë pjesë e listës botërore të UNESCO-s.

Ndërkohë për banorët dhe për turistët priten ndryshime të mëdha në liqenin e Pogradecit çka do të përmirësojë së tepërmi jo vetëm infrastrukturën për banorët, por edhe zhvillimin e turizmit.

Exit mobile version