Arsenali ka arritur marrëveshje me Bournemouthin për transferimin e portierit brazilian Neto si zëvendësues i Aaron Ramsdale i cili u largua në drejtim të Southamptonit.
The Athletic kishte raportuar të enjten se Arsenali po eksploron mundësinë e transferimit të Netos, pasi bisedimet për transferimin e Joan Garcias të Espanyolit kishin ngecur.
Marrëveshja mes dy klubeve është në formë huazimi dhe Neto pritet që t’i nënshtrohet nesër (e shtunë) testeve mjekësore me ‘Topçinjtë’.
Garcia paraprakisht ishte identifikuar si kandidati kryesor për t’i bërë konkurrencë David Rayas pas largimit të Aaron Ramsdale.
Ky i fundit u largua nga Londra në drejtim të Southamptonit për shumën e 25 milionë eurove ndërsa iu nënshtrua sot (e premte) testeve mjekësore.
Neto ka qenë zgjedhja e parë e portës për Bouremouthin dhe ishte emëruar kapiten i ekipit nga ish-trajneri Gary O’Neil në shkurt të vitit të kaluar. Ai ka bërë 32 paraqitje sezonin e kaluar, duke mbajtur portën e pastër në shtatë prej tyre.
Portieri brazilian ishte bërë pjesë e klubit anglez në vitin 2022 nga Barcelona duke zëvendësuar Mark Travers si zgjedhja e parë e portës.
Arsenali do të shpresojë të nënshkruaj të paktën edhe me një portier tjetër deri në përfundim të afatit kalimtar, ndërsa emrat që po përmenden janë Sam Tickle (Wigan Athletic) dhe Dan Bentley (Wolverhampton)./Telegrafi/