Site icon Telegrafi

E filloi si shaka, por tani gëzon një post të rëndësishëm në Parlamentin Evropian: YouTuberi deklarohet rreth kandidaturës, rrogës dhe rolit kyç si deputet në BE

Një YouTuber i njohur nga Qipro është zgjedhur deputet i pavarur në Parlamentin Evropian, edhe pse nuk ka përvojë paraprake politike e as përkatësi partiake.

Kjo është e vërtetë, Fidias Panayiotou nuk kishte nevojë për plane apo premtime për të fituar vota në fillim të këtij viti – ai thjesht tregoi se donte të argëtohej pak.

Duke bërë këtë, 24-vjeçari nga Qipro arriti të sigurojë 19.4 për qind – numri i tretë më i madh i votave – për t’u bërë një eurodeputet i pavarur në Parlamentin Evropian.

Ai pasoi partinë konservatore DISY, e cila mori 25% dhe mbajti dy eurodeputetët e saj, dhe partinë AKEL, e cila mori 22% por humbi një nga dy eurodeputetët e saj.

“Ishte një tronditje ajo që ndodhi, një mrekulli”, tha Panayiotou.

“Unë nuk kam votuar kurrë në jetën time dhe thashë me vete një natë që nëse nuk votoj kurrë dhe nuk interesohem kurrë, të njëjtët budallenj do të jenë gjithmonë në pushtet, dhe thashë mjaft”, deklaroi YouTuberi.

“Kam dëgjuar diku se nëse nuk je i kënaqur me gjërat rreth teje dhe dëshiron që ato të ndryshojnë, duhet të jesh ndryshimi. Pse zgjodha të jem i pavarur? Sepse nuk kam interesa partiake për t’i shërbyer”.

Së fundmi, ai festoi fitoren e tij në një tubim në sheshin Eleftheria në kryeqytetin e ishullit Nikosia, ku tha: “Ne po shkruajmë historinë. Jo vetëm në Qipro, por ndërkombëtarisht”.

Siç raportohet, kur Panayiotou paraqiti kandidaturën në prill, ai pranoi se qëllimi i tij nuk ishte të zgjidhej, por të motivonte të rinjtë që të përfshiheshin në politikë.

Me anë të një videoje në TikTok, ai tani ka zbuluar pagën marramendëse dhe përfitimet shtesë që i vijnë si anëtar i Parlamentit Evropian.

“Unë marr 8,000 euro në muaj. Përveç kësaj, çdo ditë pune që vij këtu në parlament marr 350 euro të tjera”, dëgjohet të thotë Fidias.

“Përveç kësaj, 30,000 euro të tjera do i shpenzoj për pagat e ekipit tim. Gjithashtu, unë mund të kem një zyrë në vendin tim dhe më japin 5,000 euro në muaj për këtë”.

“Kam edhe 4,000 euro të tjera për të promovuar punën time që po bëj këtu në parlament”.

“Një tjetër shpenzim i mrekullueshëm: më lejohet të përdor 10,000 euro në muaj për të sjellë njerëz në parlament për t’u takuar me deputetë dhe për të kuptuar se çfarë po bëjmë këtu”, shtoi ai.

“Përveç gjithë këtyre parave, unë kam edhe disa përfitime, si një shofer për të më vozitur dhe bileta për fluturime”.

Ndryshe, Qipro ka një popullsi prej rreth 900 mijë, nga të cilët më shumë se 683 mijë janë regjistruar për të votuar.

Pjesëmarrja e poopullsisë së Qipros në zgjedhjet evropiane ishte më pak se 59% – nga 45% në zgjedhjet e vitit 2019, me analistët që ia atribuojnë rritjen pjesërisht “faktorit Fidias”.

Sipas analizës së të dhënave të exit poll-it nga faqja e lajmeve Philenews, Panayiotou fitoi 40% të votave nga grupmosha 18-24 vjeç dhe 28% të votave nga grupi 25-34.

Përveç YouTuberit, edhe dy deputetë të tjerë të zgjedhur në Parlamentin Evropian janë nga Qipro.

@fidiasmepI’m Sorry Europe♬ original sound – fidias

Fidias Panayiotou me 2.6 milionë abonentë njihet për videot e tij virale, duke përfshirë përpjekjen për të përqafuar 100 personalitete të famshme, si Elon Musk, dhe kalimin e një jave në arkivol.

Ai gjithashtu shkaktoi polemika vitin e kaluar duke u përpjekur të udhëtonte nëpër Indi dhe Japoni pa paguar. /Telegrafi/

Exit mobile version