Site icon Telegrafi

Dy humbje poshtëruese radhazi të Juventusit, drejtori sportiv i bardhezinjëve befason me deklaratën për Thiago Mottan

Drejtori i Juventusit, Cristiano Giuntoli pranon se kjo është hera e parë që ata kanë pasur dy paraqitje të tilla ‘nën nivel’ radhazi, por këmbëngul se ata do të ‘dalin nga kjo’ me Thiago Mottan. 

Bianconerët kishin fituar pesë ndeshje radhazi në Serie A dhe ishin vënë në garë për Scudetton, por ëndrra u rrëzua nga humbjet poshtëruese 4-0 në shtëpi ndaj Atalantës dhe humbja sonte 3-0 nga Fiorentina. 

Në mënyrë të pazakontë, drejtori Giuntoli ishte i pari në dhomën e mediave pas fishkëllimës së fundit, para trajnerit. 

“Në këto momente, ne duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të dalim nga vështirësitë së bashku. Ne jemi qartazi të zhgënjyer, sezoni pati ulje dhe ngritje, por jo dy ndeshje radhazi kaq poshtë nivelit. Jemi shumë të trishtuar, por të bindur se mund të dalim nga kjo të gjithë së bashku.  Me Thiago Motta-n? Sigurisht”, deklaroi Giuntoli për Sky Sport Italia. 

Çfarë është ajo që thjesht nuk ka funksionuar në këtë skuadër të Juventusit deri më tani këtë sezon? 

“Ne e nisëm këtë projekt nga e para, duke ulur moshën e skuadrës, duke ulur faturën e pagave, ndaj e dinim që do të kishte vështirësi dhe mungesë eksperience”, nënvizoi ai. 

“Një vend në Ligën e Kampionëve është ende brenda mundësive tona dhe ne duhet të qëndrojmë të bashkuar, të përqendruar për të arritur këtë objektiv, duke dalë nga një situatë delikate”, ka thënë drejtori sportiv i Juventusit. /Telegrafi/  

Exit mobile version