Dy ditë aktivitete sportive në Pejë për nder të zyrtarëve policorë që dhanë jetën në detyrë

Në Qendrën Sportive “Shpella e Bobit” në Fierzë të Pejës, sot do të fillojnë lojërat sportive të organizuara nga Sindikata e Policisë së Kosovës, në nderim dhe përkujtim të zyrtarëve policorë që kanë rënë në krye të detyrës.
Në ceremoninë e hapjes do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, drejtues të lartë të Policisë së Kosovës, familjarë të policëve të rënë, si dhe përfaqësues të sindikatave policore nga rajoni dhe më gjerë.
Ky aktivitet, i cili do të zgjasë dy ditë – më 31 tetor dhe 1 nëntor 2025, ka për qëllim të nderojë sakrificën dhe kontributin e zyrtarëve të rënë, por edhe të promovojë frymën e solidaritetit, sportivitetit dhe bashkëpunimit ndërmjet policëve.
Gjatë këtyre ditëve, ekipet sportive të Policisë së Kosovës do të garojnë në disa disiplina, përfshirë futbollin, volejbollin, shahun dhe shenjëtarinë.
Organizatorët theksuan se këto aktivitete janë një formë simbolike për të kujtuar ata që dhanë jetën në krye të detyrës dhe për të forcuar lidhjet mes kolegëve të uniformës blu. /Telegrafi/















































