Drejtoria e Arsimit në Prizren ka bërë të ditur se ka për synim përfshirjen e fëmijëve në edukimin e hershëm dhe se për këtë arsye ka paraqitur disa kërkesa në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për ndërtimin e çerdheve të reja.

Sipas drejtuesve të këtij dikasteri komunal, këto kërkesa nuk janë miratuar nga niveli qendror.


“Komuna e Prizrenit respektivisht DKA ka bërë kërkesa të vazhdueshme në MASHTI për ndërtimin e çerdheve të reja. Me MAShTI-n u patëm pajtuar që të ndërtojmë  çerdhe të reja në fshatrat Zhur, Lubizhdë, Korishë dhe në lagjen “Dardania” si dhe për shqyrtimin e kërkesave për fshatrat Gjonaj e Piranë. Por duket se do të hyjmë në zgjedhje parlamentare pa u nisur së ndërtuari asnjëra nga këto çerdhe”, ka thënë drejtoresha e Arsimit, Luljeta Veselaj Gutaj.

Sipas saj, MAShTI nuk ka dhënë pëlqime për nisjen e ndërtimit në Zhur dhe në Lubizhdë, me arsyetimin se lokacioni është pjerrinë, respektivisht se ngastra është larg rrugës kryesore, raporton Telegrafi.

Luljeta Veselaj Gutaj DKA Prizren 1

Ajo ka shtuar se në lagjen “Dardania” ka një vit që është vënë gur themeli dhe se MAShTI ende nuk e ka nisur ndërtimin, teksa në Korishë ngjashëm nuk është bërë asnjë hap i vetëm për ndërtimin e çerdhes.

“Pavarësisht prej vlerësimeve pozitive të ekipeve tona teknike për ndërtimin e çerdheve në lokacionet e përzgjedhura, ekipet teknike të MAShTI-t arsyetohen se lokacionet nuk janë të duhura dhe nuk japin pëlqime. I vetmi arsyetim duket se është urdhri nga lartë që këtë vit të mos jepet asnjë pëlqim, deri në zgjedhje”, ka deklaruar Veselaj Gutaj.

Zyrtarja e lartë komunale ka theksuar se lidhur me këtë çështje nuk do të dekurajohen, pasi me buxhetin vetanak kanë nisur punimet për ndërtimin e çerdhes në Lagjen e Trimave, raporton Telegrafi.

“Tashmë kemi planifikuar dhe nisur procedurat për ndërtimin e çerdhes në lagjen “Arbanë”. Planet i kemi që të nisim ndërtimin e çerdheve edhe në lokacione të tjera”, është shprehur ajo.

Në të njëjtën kohë është zotuar se Komuna e Prizrenit me buxhetin e saj do të angazhohet për rritjen e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm, me qëllim “që të krijohen lehtësira për familjet dhe të mundësohet organizimi sa më i mirë i jetës së tyre”.

cerdhja ne prizren

Ministrja e MAShTI-t, Arbërie Nagavci gjatë një paraqitjeje mediale ka shprehur qëndrimin se komunat kanë bërë obstruksione lidhur me projektet për ndërtimin e çerdheve të reja përkatësisht përfshirjen e fëmijëve në edukimin e hershëm.

Mirëpo Asociacioni i Komunave të Kosovës ka mohuar këtë pretendim të ministres Nagavci, duke theksuar se komunat bëjnë kërkesa të pareshtura në MAShTI për ndërtimin e çerdheve të reja.

Sipas AKK-së, edhe Komuna e Prizrenit ka bërë dhe është duke bërë kërkesa në MAShTI. “Mirëpo këto kërkesa refuzohen apo nuk miratohen”, thuhet në reagim. /Telegrafi/