Drejtori i Përgjithshëm i Doganës: Rezultatet e muajve të fundit dëshmojnë përkushtimin e zyrtarëve tanë në mbrojtje të shoqërisë

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, ka publikuar sot një reagim në LinkedIn lidhur me operacionin e fundit të njësive doganore, ku u ndalua tentativa për të futur 120 kilogramë kanabis në territorin e Republikës së Kosovës.
Postimi i tij thekson rolin gjithnjë e më të gjerë dhe më të rëndësishëm të Doganës në mbrojtjen e sigurisë dhe ekonomisë së vendit.
Sipas Llugaliut, Dogana e Kosovës ka një mision shumëdimensional që përfshin mbrojtjen e shoqërisë, luftimin e ekonomisë joformale, sigurimin e të hyrave për buxhetin e vendit dhe lehtësimin e tregtisë.
Ai thekson se rezultatet e arritura gjatë viteve janë të prekshme dhe së fundi janë konfirmuar edhe në Raportin e progresit nga Komisioni Evropian, i cili vlerësoi rrugëtimin e Kosovës në proceset integruese.
Një fokus i veçantë, sipas tij, mbetet adresimi i rreziqeve të drejtpërdrejta për qytetarët – përfshirë narkotikët, armët dhe produktet e rrezikshme që mund të dëmtojnë sigurinë fizike dhe shëndetin publik.
Drejtori thekson se muajt e fundit kanë qenë veçanërisht të suksesshëm falë operacioneve të intensifikuara dhe bashkëpunimit të ngushtë me institucionet e tjera të zbatimit të ligjit brenda dhe jashtë Kosovës.
“Rasti i sotëm, ku u ndalua futja e 120 kg kanabis, është një dëshmi e qartë e profesionalizmit dhe përkushtimit të zyrtarëve tanë, të cilët punojnë 24 orë pa u lodhur për të mbrojtur kufirin dhe sigurinë e fëmijëve tanë,” shkruan Llugaliu.
Ai gjithashtu garantoi se menaxhmenti i Doganës së Kosovës do të vazhdojë ta mbështesë pa rezervë punën e të gjithë zyrtarëve në terren, duke vlerësuar rolin e tyre thelbësor në mbrojtjen e vendit dhe shoqërisë.




















































