Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka arrestuar tre persona të përfshirë në një rrjet të kontrabandës me qenie njerëzore.

Në njoftim thuhet se operacioni policor i koduar "Rrjeti", nga Policia e Shtetit, agjencitë ligjzbatuese amerikane pranë Ambasadës së ShBA në Tiranë dhe Prokuroria e Tiranës ka rezultuar me arrestimin e tre shtetasve, për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, shtetasve shqiptarë, drejt Kanadasë, Shteteve të Bashkuara etj.


“Njësia e Shërbimeve Hetimore, e cila punon së bashku me Agjencinë Federale Amerikane DSS/OCIU me prezencë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Forcën e Posaçme Operacionale dhe Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka kryer arrestimin e shtetasve H. M., 58 vjeç, A.P., 60 vjeç dhe C. N., 62 vjeç.

Hetimet disamujore kanë zbuluar se i dyshuari kryesor, shtetasi H. M., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, nëpërmjet sigurimit të dokumenteve të udhëtimit të falsifikuara, ka kontrabanduar disa shtetas shqiptarë, nga Shqipëria drejt disa vendeve të BE, prej andej në vende të ishujve Karaibe dhe më pas në shtete të tjera, me qëllim final premtimin dhe dërgimin e tyre në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu, dyshohet se i dyshuari kryesor, shtetasi H. M., me precedent të mëparshëm në këtë aktivitet kriminal, merrte shuma nga 20 deri në 35 mijë dollarë, me premtimin e dërgimit të tyre në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara”, thuhet në njoftim.

Gjatë hetimeve dhe pas arrestimit, të dyshuarve iu janë sekuestruar shuma të mëdha parash ‘cash’, dokumente të ndryshme udhëtimi false, si dhe sende dhe prova të tjera në interes të hetimit.

Hetimet vazhdojnë për dokumentimin e mëtejshëm të këtij aktiviteti kriminal dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të dyshuar. /Telegrafi/