Shoqata për Krime Lufte “Gjakova 98-99” dorëzoi sot kontingjentin e 14-të të padive kundër krimeve serbe në Departamentin për Krime të Luftës në Policinë e Kosovës.

Shkëndije Hoda, përfaqësuese e kësaj organizate, tha se ky është kontingjenti i 14-të që e dorëzojnë dhe se lidhet me datat 7, 8, 9 dhe 10 maj, që është kryer një luftim i ashpër në Komunën e Gjakovës.


84279137 2512209689081083 7052118880197541888 n

“Është data 7, 8, 9 dhe 10 maj që është kryer një luftim jashtëzakonisht i ashpër në Komunën e Gjakovës, janë të vrarë dhe të ekzekutuar, të masakruar diku 97 qytetarë, të burgosur kanë qenë 347 të cilët më tutje janë lëshuar disa dhe janë mbajtur disa të tjerë nën burgjet e Serbisë. Kemi dosjet e 23 të vrarëve në burgun e Dubravës, gjithmonë flasim për periudhën 7, 8, 9 dhe 10 maj, të cilët janë marrë peng në atë periudhë dhe janë të komunës së Gjakovës. Pjesa tjetër është dosja e 112 fëmijëve të vrarë, të ekzekutuar në mënyra të ndryshme pikërisht në Komunën e Gjakovës. Dhe një dosje tjetër që ne mendojmë se çdo qytetar i cili i ka këto dosje duhet t’ia sjellë policisë, është dosja e kriminelëve pjesëmarrës në këto data”, tha ajo.

Ajo tha se janë të kënaqur nga puna që po bëhet nga gjykatat në vend, derisa theksoi se janë optimiste se të gjithë ata që kanë kryer krime do të dalin para drejtësisë.

89436929 839799793163778 6658492596467269632 n

“Ju po i shihni rezultatet edhe në gjykata veçse ka filluar arrestimi i kriminelëve të luftës, i keni rastet e fundit për përdhunime seksuale që është një nismë e mirë. Presim, çdo e mirë vjen ngadalë. Ne nuk jemi pesimistë, jemi optimistë, për arsye se thash më herët këta djem e vajza janë duke e punuar një punë shumë të mirë”, u shpreh ajo. /KP/