Dorëheqja e Liburn Aliut, Rama: Largimi i tij nga institucioni nuk është vetëm një humbje për institucionet, por për të gjithë ne

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka dhënë sot dorëheqje nga posti i tij. Shkak për dorëheqjen është bërë zgjedhja e Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës.
Pas dorëheqjes së Aliut, ka reaguar edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, transmeton Telegrafi.
Rama ka falënderuar Aliun për bashkëpunimin, duke theksuar se raportet me të kanë qenë shumë korrekte.
"Dua ti shpreh mirënjohjen time më të thellë Liburn Aliut, për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe korrektësinë që tregoi gjatë gjithë kohës sa ishte Ministër i Infrastrukturës në raport me mua si Kryetar i Kryeqytetit.
Largimi i tij nga institucioni nuk është vetëm një humbje për institucionet, por për të gjithë ne që besojmë tek puna dhe idealet e larta të shërbimit publik", ka shkruar Aliu.
Tutje, ai ka uruar suksese Aliut.
"I uroj suksese në çdo hap të ri dhe e falënderoj nga zemra për kontributin e tij të çmuar në zhvillimin e Kryeqytetit dhe në forcimin e unitetit tonë qytetar dhe kombëtar", theksoi ai.
Ndryshe, Liburn Aliu sot ka njoftuar për dorëheqjen e tij si ministër i Infrastrukturës.
"Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit te Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dje, pas votimit të kryetarit të Kuvendit, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim.
Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua", tha Aliu sot. /Telegrafi/



















































