Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit u zhvilluan në një atmosferë kryesisht të qetë dhe demokratike, me pjesëmarrje të lartë të votuesve.

Procesi pati sfida institucionale dhe politizim në vendimmarrjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa fushata ishte e personalizuar rreth liderëve partiakë dhe me përfshirje të pabarabartë të qytetarëve.


Administrimi i ditës së zgjedhjeve dhe publikimi i rezultateve u realizuan në mënyrë efikase, duke krijuar një bazë për formimin e institucioneve në kohë.

Ky ishte vlerësimi preliminar i Demokracisë në Veprim për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Eguen Cakolli menaxheri i programeve në Koalicionin e organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim, flet për vlerësimin preliminar të procesit zgjedhor të 28 dhjetorit, mbarëvajtjen e ditës së zgjedhjeve, sfidat institucionale gjatë administrimit të procesit, si dhe pritshmëritë për certifikimin e rezultateve dhe konstituimin e institucion.

“Koalicioni i organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve, Demokracia në Veprim, vlerëson se këto zgjedhje janë zhvilluar në përputhje me standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe konkurruese. ...Sa i përket procesit të votimit, këto zgjedhje kanë qenë dhe janë zhvilluar në një atmosferë të qetë dhe demokratike, pa asnjë incident serioz i cili do të mund ta cenonte integritetin e zgjedhjeve, apo do ta minonte besimin e publikut në rezultatin zgjedhor. Dalja e votuesve ka qenë relativisht e lartë, ndonëse shumica e parregullsive të evidentuara nga ana e vëzhguesve të DNV-së kanë qenë të karakterit procedural, pa ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatin e përgjithshëm të procesit”, tha ai.

Sipas tij, puna e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte në një nivel të politizimit si gati asnjëherë më parë.

Sa i përket votimit jashtë vendit, ai tha se ishte mbi 84% në përfaqësi diplomatike. “Sa i përket listës së votuesve, e njëjta vijon të mbetet pra një çështje problematike strukturore. Edhe pse KQZ ka ndërmarrë hapa për pastrimin e saj, fakti që lista e votuesve vijon të ketë mbi 2 milionë votues, pra gati 500,000 më shumë sesa që ka banorë rezidentë në bazë të gjetjeve nga matjet e fundit të popullsisë që janë bërë vitin e kaluar, tregon për nevojën për intervenime më afatgjate në këtë drejtim”, tha ai.

“Sa i përket identifikimit të votuesve me dokumente të pavlefshme apo me afat të skaduar, vëzhguesit e DNV-së kanë raportuar se ky fenomen, e sidomos ai i identifikimit të votuesve me dokumente me afat të skaduar, ka qenë i raportuar në të paktën 1/3 e vendvotimeve, përkundër ndalesës ligjore, por pavarësisht kësaj, numri i rasteve ka qenë i kufizuar deri në 10 sosh. Sa i përket vështirësive të votuesve për ta gjetur qendrën e saktë të votimit të tyre, përkatësisht gabimet e votuesve në gjetjen e kësaj, vëzhguesit tanë kanë raportuar se në gati 2/3 të qendrave dhe vendvotimeve në nivel vendi, ka pasur votues të cilët janë njoftuar se u ka ndryshuar qendra e votimit. Sa i përket votimit me asistencë, për shkak të zbatimit të rregullave më të rrepta nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka pasur një ulje të ndjeshme të këtij fenomeni, që sipas të dhënave tona, tanimë përbën vetëm më pak se 1% të numrit të përgjithshëm të votuesve të cilët votojnë në ditën e zgjedhjeve përmes asistencës....Me këtë rast, fotografimi i votës mbetet problemi kryesor i cili është i identifikuar edhe gjatë procesit të zhvilluar të djeshëm, me gjithsej 32 raste të raportuara nga vëzhguesit e DNV-së, në mbi 20 vendvotime ku pra ka pasur raste të fotografimit të votës. Zhvillimi mbase më pozitiv në kuadër të ditës së zgjedhjeve ishte publikimi i shpejtë, i plotë dhe pa vonesa i rezultateve nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili me mbi 90% të rezultateve të procesuara arriti që të publikojë të njëjtat vetëm pak orë pas përmbylljes së procesit zgjedhor”, theksoi Cakolli.

Ai i ndal edhe te fushata zgjedhore.

“Sa i përket periudhës së fushatës, vlen të përmendet që edhe kjo fushatë është karakterizuar nga vendime të cilat përbëjnë shkelje ligjore sa i përket garës së barabartë zgjedhore dhe mos shfrytëzimit të resurseve publike, ku normalisht theksohet vendimi i qeverisë pak ditë para ditës së zgjedhjeve për ndarjen e 100 eurove për fëmijët dhe për pensionistët, që ka pasur ndikim në garën zgjedhore, duke krijuar një garë të pabarabartë së pari, por së dyti, duke i dhënë avantazh partisë në pushtet krahasuar me partitë e tjera të cilat nuk e kishin një mundësi të tillë”, tha ai.