Komuna e Prizrenit bashkë me nxënësit e SHFMU "Fatmir Berisha" dhe vullnetarët ka shënuar Ditën e Tokës. Në këtë aktivitet të realizuar në lagjen “Bajram Curri” janë mbjellë 40 fidanë.

“Pas pastrimit të tërësishëm të hapësirës publike, që ka qenë e mbuluar me mbeturina, pranë SHFMU "Fatmir Berisha" në lagjen “Bajram Curri”, përmes një aktiviteti të organizuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, sot u shënua 22 Prilli - Dita e Tokës bashkë me nxënës dhe vullnetarë të ndryshëm”, ka njoftuar Komuna e Prizrenit, raporton Telegrafi.


Mbjellja e fidanëve sipas zyrtarëve komunalë është bërë me qëllimin që kjo hapësirë publike të shërbej si park i ri për komunitetin.

“Me këtë rast u mbollën rreth 40 pemë, duke e transformuar këtë hapësirë në një park të ri për banorët e kësaj lagjeje, aktivitet i cili ka për qëllim rritjen e vetëdijes për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit të gjelbër në planetin tonë”, përfundon njoftimi i Komunës së Prizrenit.

Dita e Tokës shënohet çdo vit më 22 prill për të rritur ndërgjegjësimin në të gjithë globin për nevojën e mbrojtjes së mjedisit. /Telegrafi/