Dita e dytë e protestës, Rama: Jam i gatshëm të takohem me kryeministrin dhe ministrin kudo që dëshirojnë

Në ditën e dytë të protestës së “Trafikut Urban” dhe operatorëve privatë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, deklaroi se problemi qëndron te Ministria e Financave, e cila po mban të bllokuar buxhetin e kryeqytetit.
Ai gjithashtu bëri të ditur se është i gatshëm të zgjidhë situatën që sot, duke u takuar me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati.
“Për fat të keq jemi ende sot në gjendje të njëjtë sikur dje me protesta që i kuptoj plotësisht, u kërkoj falje qytetarëve për këtë pozitë. Ne kemi paralajmëruar me muaj tërë për bllokada dhe ministria vazhdon që mjetet vetanake të mbeten të bllokuara në mënyrë të jashtëligjshme diku rreth 35 milionë janë të bllokuara. Ky problem do zgjidhej menjëherë, ne ishim dje me protestuesit përpara Ministrisë ku kërkova takim me kryeministrin dhe ministrin por ata refuzuan. Jam edhe sot i gatshëm të takohem menjëherë kudo që ata dëshirojnë të takohen është një çështje që nuk është problem por po bëhet, pa pasur nevojë", theksoi Rama.
Ai shtoi tutje se zgjedhjet lokale kanë përfunduar, prandaj, duhet lënë anash politikat bllokuese, duke shtuar "dhe fondet që na takojnë me ligj t’i transferojnë menjëherë që familjet e këtyre punëtorëve t’i marrin pagat menjëherë dhe kanë pritur më muaj të tërë, edhe sot për çfarëdo inati vazhdon të jetë".
"Ne kemi thirr edhe seancë të jashtëzakonshëm të enjten, i kemi 35 milionë të bllokuara tash e sa muaj tash të enjten do ta fusin në seancë edhe 28 milionë të tjera i thërras asamblistët që të votojmë edhe 28 milion që kryeqyteti të ketë opsioni".
"Kryeqyteti ka fonde të mjaftueshme për te paguar gjitha operatorët, pra nuk kemi problem te operatorët por problemi është te ministria që bllokon jashtëligjshëm të hyrat tona vetanake për te cilat kemi bërë kallëzim penal ndaj Hekuran Muratit dhe tre zyrtarët e ministrisë", nënvizoi ai. /Telegrafi/



















































