Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, bën apel të fuqishëm ndaj prindërve dhe familjeve që të marrin një rol aktiv në edukimin e fëmijëve për të jetuar pa dhunë.

“Dhuna mes bashkëmoshatarëve po shfaqet gjithnjë e më hapur dhe po normalizohet si sjellje. Ky është një alarm serioz që kërkon veprim të menjëhershëm nga familjet, institucionet dhe e gjithë shoqëria, por mbi të gjitha nga familja, e cila mbetet mjedisi ku fëmijët formojnë vlerat dhe sjelljet e tyre”, thuhet në njoftim.


KOMF nxit prindërit të ndërmarrin hapa konkretë në komunikim dhe edukim.

“Ndani kohë për biseda të hapura dhe të ndershme me fëmijët mbi dhunën dhe pasojat e saj. Promovoni dhe modeloni tek fëmijët sjellje paqësore në marrëdhënie me të tjerët. Monitoroni dhe orientoni përmbajtjet që fëmijët shohin dhe ndajnë, sidomos në rrjetet sociale”, thuhet tutje në njoftim.

Gjithashtu, KOMF apelon edhe angazhimin në bashkëpunim me shkollat dhe kërkimin e mbështetjes profesionale kur fëmijët përballen me vështirësi emocionale.

“Kërkojmë bashkëpunim të ngushtë me shkollën për të mbështetur fëmijën. Kërkojmë mbështetje profesionale kur fëmijët tregojnë shenja të stresit, ankthit ose sjelljeve agresive”, thekson njoftimi.

Në përfundim, KOMF thekson rëndësinë e rolit të familjes.

“Çdo fëmijë ka të drejtë të rritet në një mjedis të sigurt dhe mbrojtës. Prindërit apo kujdestarët ligjorë janë linja e parë e mbrojtjes dhe ndikimit pozitiv në jetën e fëmijëve të tyre”

Përmes komunikimit të hapur dhe edukimit për modele konstruktive dhe tolerante, KOMF beson se mund të parandalohet dhuna dhe të ndërtohet një shoqëri më e sigurt për fëmijët. /Telegrafi/