Dhuna në shkollën e Sarajit, Prokuroria nisë procedurë kundër pesë të miturve

Prokuroria Themelore Publike në Shkup, gjykatësit për fëmijë në kuadër të Gjykatës Themelore Penale Shkup i parashtroi Kërkesë për fillimin e procedurës përgatitëse për gjithsej pesë fëmijë në konflikt me ligjin, sepse kanë ndërmarrë veprime të cilat janë paraparë si vepër penale – Dhunë nga neni 386 nga Kodi Penal.
Bëhet fjalë për të mitur, të moshës prej 14 dhe 15 vjet, bashkë me edhe një fëmijë i cili nuk ka mbushur 14 vjet dhe nuk mund të përgjigjet penalisht, në grup kanë kryer dhunë të ashpër ndaj dy 14-vjeçarëve të tjerë.
Siç thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike, incidenti ka ndodhur më 12 dhjetor në oborrin e Shkollës Fillore “Dituria” në Saraj.
Dy fëmijët – viktima të dhunës – po shkonin në shtëpi kur u ndaluan nga sulmuesit në dalje të oborrit të shkollës.
Ata filluan t’i godisnin me grushte dhe shqelma në kokë dhe trup. Njëri nga fëmijët e lënduar pësoi plagë sipërfaqësore në kokë, ndërsa fëmija tjetër pësoi lëndime të rënda trupore – kontuzion në kokë, hundë të thyer dhe hematoma në të gjithë trupin.
Me dhunën kryerësit shkaktuan ndjenjën e pasigurisë dhe frikës edhe te fëmijë të tjerë të cilët në atë moment dilnin nga shkolla.
Duke e pasur parasysh moshën e fëmijëve në konflikt me ligjin, por dhe nevojën që të sigurohet zhvillim i pandërprerë i procedurës, prokurori publik gjykatësit i ka propozuar të përcaktojë masa të kujdesit – paraqitje në gjykatë, marrje të pasaportës dhe ndalesë për afrim dhe realizim të çfarëdo lloj kontaktesh me fëmijët e dëmtuar.







































