Të paktën 10 persona humbën jetën dhe 55 të tjerë u lënduan pas përplasjes së një treni mallrash me një autobus dykatësh pranë Mexico City.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, aksidenti ndodhi në Atlacomulco, në veriperëndim të kryeqytetit.


Autobusi me 51 pasagjerë në bord, u shkatërrua pas përplasjes, pasi shoferi dyshohet se tentoi të parakalonte automjetet e tjera në kalim hekurudhor.

Shoferi është vënë në pranga nga autoritetet.

Kompania hekurudhore Canadian Pacific Kansas City of Mexico konfirmoi ngjarjen dhe shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave.

Autoritetet paralajmëruan se aksidentet në kalimet hekurudhore janë shtuar vitet e fundit. Vetëm vitin e kaluar janë regjistruar 800 raste, krahasuar me 602 në vitin 2020. /Telegrafi/