LAJMI I FUNDIT:

Dhjetë rastet kur Bob Dylan ishte figura më bezdisëse në skenën e rokut

Dhjetë rastet kur Bob Dylan ishte figura më bezdisëse në skenën e rokut
Bob Dylan

Nga: James Hall, kritik i rokut / The Daily Telegraph
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Ngatërrestari i madh po rikthehet me hilet e vjetra. Sipas asaj që aktori Edward Norton thotë në biopikun e ardhshëm, A Complete Unknown (që do të ketë premierën më 17 janar), Bob Dylan ka “rrëshqitur në një skenë krejtësisht të pasaktë”. Nortoni, i cili në film luan këngëtarin e folkut dhe aktivistin Pete Seeger, i ka thënë revistës Rolling Stone se 83-vjeçari Dylan gjen “ashiqare kënaqësi në mjegullim dhe në shtrembërim”, duke shtuar se ai është “një ngatërrestar i madh”.

Te “ngatërrestari” mund të shtosh edhe krijuesin e miteve, enigmën, narratorin e dyshimtë, fabulistin, shtrembëruesin e zgjuar dhe shakaxhiun. Edhe emri i tij është një enigmë – Dylani lindi si Robert Zimmerman përpara se ta ndryshonte ligjërisht emrin në vitin 1962. Gjatë karrierës së tij gjashtëdhjetëvjeçare, Dylan ka shpërqendruar dhe hutuar adhuruesit pothuajse në çdo hap. “Askush nuk di asgjë për mua”, i ka thënë ai kritikut Robert Shelton në vitin 1966.


Kjo mistikë ka qenë gjithmonë e qëllimshme, pjesërisht për shkak të refuzimit të Dylanit për t’u glorifikuar si zëri i brezit të tij (dikur, ky ishte titulli në një gazetë amerikane: “Zëdhënësi mohon se është zëdhënës”, gjë që e irritoi pa masë Dylanin). Mikja e tij, Marianne Faithfull, shkroi se Dylani “ishte aq enigmatik, saqë gjithçka dukej se merrte të paktën një kuptim tjetër … Ai nuk ishte asgjë tjetër përveçse një subjekt rrëshqitës”. Dylani ka shkuar deri aty sa të sugjerojë se mashtrimi është domosdoshmëri krijuese. “Kur dikush mban maskë, ai do të tregojë të vërtetën. Kur nuk mban maskë, është shumë i dyshimtë”, i tha ai Martin Scorseseit në filmin e tij Rolling Thunder Revue, për turneun e vitit 1975.

Por, ka pasur raste kur nxitja e provokimeve, nga ana e tij, ka kaluar në shtirje, ndonjëherë edhe në mënyrë të padurueshme. Ndërsa A Complete Unknown – me Timothée Chalametin në rolin kryesor – po i afrohet premierës në Mbretërinë e Bashkuar, të premten e ardhshme, këtu është një listë e veprimeve më të ndërlikuara dhe të bezdisshme të gjeniut muzikor.

1. Një histori e rrejshme origjine
Kur Dylan nënshkroi për herë të parë me [shtëpinë diskografike] Columbia Records në vitin 1961, ai u ul me drejtuesin serioz të shtypit të kompanisë, Billy James, i cili ishte i etur për të mbledhur disa fakte mbi artistin. “Dukej se nuk kishte pirë kurrë drogë në jetën e vet, nuk ishte futur kurrë në telashe”, kujtonte Dylan, i cili menjëherë nisi të bëhej një qerrata. Muzikanti i tha Jamesit se ishte nga Ilinoisi, se kishte punuar në ndërtimtari në Detroit, se kishte një punë si shofer i një kamioni të një furre buke dhe se kishte udhëtuar me tren mallrash për të arritur në Nju-Jork. “Një rrenë e kulluar”, e përshkroi më vonë Dylani – i lindur në Minesotë – informacionin që i kishte dhënë Jamesit të gjorë e të pasherrë.

2. Duke luajtur domino me bitëlsat
Dylani është i njohur për faktin se i “njoftoi” bitëlsat me marihuanën – gjatë turneut të Katërshes Fantastike në ShBA në verën e vitit 1964. Droga i çoi të katër anëtarët e grupit, plus menaxherin Brian Epstein, në “hava”. Kur gazetari britanik Chris Hutchins hyri atë natë në suitën e grupit në një hotel në Nju-Jork, ai i gjeti britanikët të ulur në pesë karrige të rreshtuara. “Herë pas here, një burrë që qëndronte në fund të rreshtit do ta shtynte bitëlsin më të afërt nga karrigia e tij, dhe, si në një efekt dominoje, secili do të rrëzonte tjetrin, duke përfunduar me Brianin i cili binte në dysheme duke qeshur pa kontroll dhe duke shkaktuar të qeshura edhe te të tjerët”, kujtoi Hutchins në librin e Craig Brownit, One Two Three Four. “Ishte një skenë surreale, që bëhej edhe më e çuditshme nga fakti se burri që i shtynte ishte Bob Dylan”.

3. Gishti i mesit për adhuruesit
Çdo artist me një karrierë të gjatë do të publikojë albume mesatare. Është e pashmangshme. Por, të publikosh qëllimisht një album të tmerrshëm, vetëm për të larguar njerëzit prej teje, kjo është një fyerje për adhuruesit. E, kjo është pikërisht ajo që bëri Dylani me Self Portrait në vitin 1970. Albumi i dyfishtë, me 24 këngë, ishte një përzierje e çrregullt e përpunimeve të këngëve të të tjerëve, incizimeve nga koncertet, instrumentaleve dhe këngëve origjinale. Kritiku i Rolling Stone-it, Greil Marcus, e nisi kritikën e tij me fjalët: “Çfarë m… është kjo”? Një libër i vitit 1991, The Worst Rock and Roll Records of All Time, e renditi atë si albumin e tretë më të keq të rokut në histori. Në një intervistë të vitit 1984, Dylan e quajti albumin një “shaka” të mbushur me “plehra”, ndërsa pranoi se e kishte bërë për t’i shtyrë adhuruesit që ta harronin. “Doja të bëja diçka që ata s’mund ta pëlqenin, me të cilën nuk mund të lidheshin”, tha ai për arsyen e tij. Por, ideja “dështoi”, pranoi ai, pasi thjesht i bëri adhuruesit “më të ethshëm”. Nuk është çudi.

4. Monsinjor Finiani
Të marrësh, si gazetar, përgjigje të drejtpërdrejta nga një yll roku, është punë e vështirë edhe në çastet më të mira. Por, Dylani e çoi këtë në një nivel krejt të ri në maj të vitit 1966, gjatë një konference për shtyp në hotelin “George V” në Paris. Këngëtari kishte blerë më herët një kukull ventrilokuisti, në një treg të sendeve të vjetra. Vendosi ta quante Finian. Sa herë që një gazetar ia shtronte Dylanit një pyetje, ai e afronte veshin te goja e Finianit dhe “dëgjonte” përgjigjen nga kukulla, përpara se ta përsëriste atë për gazetarët e mbledhur. Disa nga pyetjet dhe përgjigjet ishin:

Gazetari: Çfarë keni menduar për natën tuaj të parë në Paris?
Dylan: Ishte shumë e mërzitshme.

Gazetari: Pse është kukulla këtu?
Dylan: Më ndoqi.

Gazetari: A është maskotë?
Dylan: Jo, është simbol fetar.

Gazetari: Çfarë feje?
Dylan: Është simbol i fesë së lotëve.

“Kjo i çmendi fare”, ka thënë fotografi Barry Feinstein, i cili dokumentoi turneun. Shaka apo bezdisje? Përderisa për Dylanin ngjarja ishte e veçantë, për gazetarët ashiqare nuk ishte. Kjo ishte konferenca e tij e fundit për shtyp për 12 vjetët që pasuan.

5. Romanca me Stonein?
Në dokumentarin e përmendur më herët të Scorseseit, Rolling Thunder Revue – që pati premierën në vitin 2019 – aktorja Sharon Stone pretendoi se ishte njohur me Dylanin në mesin e viteve ’70 të shekullit XX. Ajo ka thënë se një natë, në prapaskenë, ai ia luajti këngën Just Like A Woman, ndërsa i tha se e kishte shkruar për të. Ishte kitaristi i Dylanit, T Bone Burnett, që i tha Stoneit se, në fakt, kënga ishte shkruar 10 vjet më parë. Problemi është se gjithë ky skenar ndoshta ishte dokërr. Nuk ka prova që sugjerojnë se kjo skenë ka ndodhur. Në të njëjtin dokumentar, një regjisor i quajtur Stefan van Dorp rikujton (në ditët e sotme) se kishte filmuar koncertet e Rolling Thunder në vitet 1975-‘76. Van Dorp në fakt është artisti i performancës Martin von Haselberg, i njohur gjithashtu si bashkëshorti i Bette Midlerit. Gjë e zgjuar kjo, sepse Midleri shfaqet shkurtimisht në film me Dylanin në një pamje të turbullt nga vitet ’60 të shekullit, xhiruar në klubin “Gerde’s Folk City” të Menhetenit. A ishte ajo? (Po.)

6. Mjeshtri i çorientimit
Pothuajse gjatë gjithë karrierës së tij, Dylani ishte lodhur nga etiketimi si një urtak që përkufizonte një gjeneratë dhe me gjithë vëmendjen e pashmangshme që sillte kjo. “Nuk isha drejtues i ndonjë gjenerate, dhe kjo ide duhej shkulur me rrënjë”, ka thënë ai. Kështu, në mesin dhe fundin e viteve ’60 të shekullit XX, ai nisi një fushatë çorientimi për të ulur interesin e njerëzve për të. E nisi një thashetheme me kompaninë e tij diskografike se po planifikonte të linte muzikën për t’u regjistruar në Shkollën e Dizajnit të Roud Ajlënd. Lajmi u përhap në shtyp. “Disa njerëz thanë: ‘Nuk do të zgjasë as një muaj’. Gazetarët nisën të shtronin pyetje në gazeta, ‘Çfarë ndodhi me versionin e vjetër të tij’? Le të shkojnë në ferr”, shkroi Dylan në librin Chronicles. Ai gjithashtu shkoi në Jerusalem, ku qëllimisht u fotografua pranë Murit Perëndimor, duke mbajtur kapelën e vogël hebraike. “Të gjitha revistat më shndërruan brenda natës në një sionist. Kjo ndihmoi paksa”, shkroi ai.

7. Emrat e tjerë
“Dylan” nuk është i vetmi emër që ka përdorur Robert Zimmerman. Sapo kishte mbaruar shkollën, ai performoi si Elston Gunn. Gjithashtu, ka interpretuar si Tedham Porterhouse, Blind Boy Grunt dhe Robert Milkwood Thomas. Kur ishte pjesë e supergrupit The Travelling Wilburys, në fund të viteve ’80 të shekullit XX, ai u bë Boo Wilbury. Pastaj, në vitin 2003, Dylan bashkëshkroi skenarin për filmin e Larry Charlesit, Masked and Anonymous. Emri i tij për këtë projekt? Sergei Petrov. Një gjurmë e dashurisë së Dylanit për emrat e ndryshëm mund të gjendet në një nga vargjet e tij të preferuara poetike (dhe te titulli i këngës së tij të vitit 2020): I Contain Multitudes, nga poezia epike e Walt Whitmanit e vitit 1855, Song of Myself. Vlen të kujtohen vargjet që Whitmani shkroi përpara kësaj: A e kundërshtoj vetveten? Shumë mirë atëherë, unë kundërshtoj vetveten (jam i madh, kam shumë emra). Kjo shumëçka shpjegon.

8. Një aksident fatlum
Më 29 korrik 1966, Dylani u nda nga motoçikleta e tij “Triumph T100”, ndërsa po ngiste në pjesën veriore të shtetit të Nju-Jorkut. U përhapën thashethemet se ishte shpërfytyruar keq ose kishte pësuar lëndime që ia kishin ndryshuar jetën. Por, niveli i seriozitetit të aksidentit nuk u përcaktua kurrë. Nuk janë zbuluar të dhënat spitalore që ndërlidheshin me incidentin dhe nuk besohet të jetë thirrur ndonjë ambulancë. Pas aksidentit, Dylani u tërhoq; për gati tetë vjet nuk do performoi më në turne. Në vetëm dy fjali në autobiografinë e tij të vitit 2004, Chronicles: Volume One, Dylani pranoi se aksidenti ia siguroi – të paktën pjesërisht – një mburojë pas së cilës ai mund të tërhiqej. “Kisha pësuar një aksident me motoçikletë dhe isha lënduar, por u shërova. E vërteta ishte se doja të largohesha nga puna”, shkroi Dylan.

9. Trajtimi i heshtur
Shumë gazetarë kanë përjetuar heshtjet misterioze të Dylanit. Kur prezantuesi, autori dhe bashkëthemelues i revistës Q, David Hepworth, siguroi një intervistë me Dylanin për numrin e parë të revistës në vitin 1986, gjërat nuk shkuan siç ishin planifikuar. “Ishte makthi im më i keq. Ai nuk fliste me mua. Dhe, kur Bob Dylan nuk flet me ty, oh … ka diçka për t’ua thënë nipërve”, ka thënë Hepworth në historinë e shtypit muzikor të Paul Gormanit, In Their Own Write. “Isha ulur në zhveshtoren e Dylanit në Sheshin Medison, ndërsa ai i binte kitarës dhe qëllimisht më injoronte. Dhe, aty ishim vetëm unë dhe ai në dhomë”. Të qenit mjeshtër i të tërthortës nuk e ndihmoi Dylanin. Këndi i artikullit, kur u botua, ishte “Q… n…, sa i pasjellshëm është ky”? – ka thënë Hepworth. Kjo u bë pararendëse e një rubrike të rregullt të revistës Q, për artistët refuzues me titullin “Kush dreqin mendojnë se janë?” [Who The Hell Do They Think They Are?].

10. Donovani dhe këngëtari me maskë
I shkreti Donovan, muzikanti hipik me vetëm një emër që ishte cilësuar si “Dylani anglez”, ishte viktimë e një shakaje të Dylanit në Londër, në vitin 1965. Donovani dhe miqtë e tij vizituan këngëtarin në dhomën e tij të hotelit. Por, Dylani u tha njerëzve të tij që të vendosnin maska pak para se të mbërrinte Donovani – “për t’ia futur frikën, bre njeri”, sipas një rrëfimi në autobiografinë e Marianne Faithfullit. Por, gjërat u përkeqësuan. Pasi mbërriti Donovani, Dylani i kërkoi të luante një këngë në kitarën e tij, shkroi Faithfull. Kënga që zgjodhi Donovani ishte Mr. Tambourine Man e Dylanit, me fjalët e ndryshuara – një këngë që ishte përhapur në qarqet e festivaleve dhe nuk ishte në dijeni se ishte shkruar nga Dylani. Sipas Faithfullit, Dylan e ndërpreu Donovanin duke i thënë: “Nuk ke nevojë ta këndosh më. E kam dëgjuar këtë këngë”. Uh! /Telegrafi/