Detaje nga bastisjet në Leposaviq dhe Zveçan - policia ka arrestuar dy persona

Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka dhënë detaje të reja rreth bastisjeve të djeshme në veri të vendit, konkretisht në Zveçan dhe Leposaviq.
Në rastin e parë në Leposaviq policia ka arrestuar një person të dyshuar pasi njësitet policore gjatë patrullimit kanë vërejtur se në një lokal-pronë e të dyshuarit janë duke u shitur bluza me mbishkrime nacionaliste me përmbajtje të veprës penale ‘nxitje e urrejtjes dhe mosdurimit’, stikersa të ndryshëm, elektro-shok dhe sprej OC.
Në konsultim me prokurorin, njësitet policore kanë kryer bastisje edhe në shtëpinë e të dyshuarit. Rasti po hetohet nga ekipet relevante policore.
Në një tjetër rast poashtu në Leposaviq policia ka arrestuar edhe një person për shkak se njësitë relevante policore, gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, kanë gjetur dhe kanë konfiskuar: një pushkë automatike AK- 47 me 47 copë fishekë, një pushkë gjuetie, një pistoletë me dy karikatorë dhe 5 fishekë dhe një karikator të zbrazët.
I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Kurse në Zveçan gjatë patrullimit njësitë policore (NJNSH) në pyll në një gyp të kanalizimit kanë vërejtur-gjetur: dy pushkë gjuetie, një armë të gjatë gjysmëautomatike, 43 copë fishekë, një rrip për fishekë dhe një fotrollë të armës.
Njësitë relevante policore dhe njësiti për deminim kanë dalë në vendin e ngjarjes. Armët dhe municioni janë sekuestruar ndërsa rasti në procedurë hetimore. /Telegrafi/



















































