Site icon Telegrafi

Detaje dhe pamje të tjera të sulmit nga mbështetësit e ish-presidentit Bolsonaro në tri ndërtesat shtetërore të Brazilit

Autoritetet braziliane kanë filluar të hetojnë rreth sulmit nga rebelët pro Jair Bolsonaros që sulmuan ndërtesat shtetërore të dielën, me presidentin e sapozgjedhur Luiz Inácio Lula da Silva që u zotua të nxjerrë përgjegjësit para drejtësisë.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Gjykata e Lartë e vendit të dielën vonë të dielën shkarkoi guvernatorin e Brasilias, Ibaneis Rocha, nga detyra për 90 ditë për shkak të defekteve në sigurinë në kryeqytet, ndërsa gjyqtari i Gjykatës së Lartë Alexandre de Moraes urdhëroi gjithashtu platformat e mediave sociale Facebook, Twitter dhe TikTok të bllokojnë propagandën pro-grusht shteti.

Kjo vjen pasi mbështetësit e ish-presidentit brazilian Jair Bolsonaro, të cilët refuzojnë të pranojnë humbjen e tij zgjedhore, sulmuan Kongresin, Gjykatën e Lartë dhe pallatin presidencial në Brasilia, vetëm një javë pas inaugurimit të Silvas, rivalit të tij të majtë.

Një sulm i tillë përfaqëson sulmin më të keq ndaj institucioneve të vendit që nga rivendosja e demokracisë katër dekada më parë.

Ndryshe, mijëra demonstrues anashkaluan barrikadat e sigurisë, u ngjitën në çati, thyen xhamat dhe pushtuan të tre ndërtesat, të cilat lidhen përmes sheshit të gjerë në kryeqytetin e vendit.

Madje disa kanë bërë thirrje për një ndërhyrje ushtarake për të rikthyer në pushtet Bolsonaro-n e ekstremit të djathtë.

Ndërkohë policia, e cila dukej krejtësisht e dërrmuar, u përpoq më kot t’i shtynte me gaz lotsjellës.

Incidentet u dënuan shpejt nga liderët botërorë, nga presidenti amerikan Joe Biden dhe francezi Emmanuel Macron e deri te krerët e shteteve të Amerikës Latine. /Telegrafi/

Exit mobile version