Deputeti i LDK-së, Paris Guri së fundmi ka ngritur një shqetësim lidhur me menaxhimin e tenderëve në sektorin e shëndetësisë gjatë mandatit të fundit qeverisës.

Sipas Gurit, një kompani e afërt me pushtetin ka përfituar rreth 150 tenderë brenda katër viteve të fundit, me një vlerë totale prej 75 milionë euro nga buxheti i shtetit.


Ky rast po cilësohet si një prej shembujve më flagrantë të abuzimit me paranë publike, në një sektor të ndjeshëm si shëndetësia.

Sipas pretendimeve, përveç favorizimit të dyshuar, drejtori i kësaj kompanie ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

“Përveç abuzimit të bërë me paranë publike nga kjo qeveri në ikje, është vepruar edhe në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit të nenit 18, nga drejtori i kësaj kompanie”, ka theksuar Guri.

Guri thekson tutje se në vitin 2025 nga 20 shkurti deri më 30 qershor ku Qeveria e Vetëvendosjes është vetëm qeveri në detyrë, kjo kompani i ka marrë mbi 17 milionë euro tender për katër muaj.

“Të gjithë ata që kanë futur duart në buxhetin e shtetit, do të japin llogari”, ka thënë Guri. /Telegrafi/