Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka dorëzuar deklaratën vjetore të pasurisë pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), për vitin 2025.

Sipas deklarimit, Rahimaj nuk posedon asnjë pasuri të paluajtshme, si toka apo banesa, dhe nuk ushtron asnjë funksion tjetër përveç postit të kryetarit të komunës që nga data 3 dhjetor 2021.


Pasuria e vetme mbi vlerën 3,000 euro është një veturë e tipit Volkswagen, e blerë në vitin 2022, në vlerë prej 9,350 euro, në emër të bashkëshortes së tij, Blodina Kamberi Rahimaj.

Në aspektin e përfshirjes në biznese, Rahimaj zotëron 100% të aksioneve në kompaninë Zing SH.P.K., të regjistruar më 21 shkurt 2019, me një kapital fillestar prej 1,000 euro.

Po ashtu, ai ka deklaruar kursime modeste në llogaritë bankare. Në emër të tij, në Bankën për Biznes, ka të depozituara 9,940.80 euro, të ardhura nga paga. Bashkëshortja e tij posedon gjithashtu llogari në Raiffeisen Bank me 5,596.74 euro, ku përfshihen edhe subvencionet nga Qeveria për lehonat dhe fëmijët e porsalindur, si dhe një llogari tjetër në Bankën Ekonomike me 1,031.12 euro. Edhe fëmijët e tij figurojnë me një llogari në vlerë 700 euro, transferuar nga prindi.

Rahimaj ka deklaruar se nuk posedon kriptovaluta, letra me vlerë, detyrime financiare ndaj personave të tjerë, dhe nuk ka dhuruar donacione në parti politike.

Në aspektin e të ardhurave vjetore, ai ka përfituar 14,310.40 euro nga paga si kryetar komune. Ndërsa bashkëshortja e tij ka përfituar 5,967.40 euro nga paga dhe 310 euro nga subvencionet shtetërore.  /Telegrafi/