LAJMI I FUNDIT:

Debati presidencial në SHBA – cilat ishin pikat kyçe për Evropën dhe botën

Debati presidencial në SHBA – cilat ishin pikat kyçe për Evropën dhe botën

Rezultati i zgjedhjeve presidenciale të muajit nëntor pritet të ketë implikime të mëdha për sigurinë dhe ekonominë e Evropës.

Ndërsa kandidatët për president të SHBA-së, Kamala Harris dhe Donald Trump u përplasën në një debat televiziv të martën në Filadelfia, njerëzit jashtë Amerikës ndoqën me vëmendje debatin për të vlerësuar se si zgjedhjet e nëntorit mund të ndikojnë në tërë botën, raporton euronews.

Megjithëse të dy kandidatët pritej të fokusoheshin në çështjet e brendshme, si ekonomia, ligjet e armëve dhe aborti, si demokratja ashtu edhe republikani prekën disa tema që mund të rezultojnë të jenë kyçe për të ardhmen e Evropës dhe botës.


Këtu janë gjashtë pikat kryesore të bisedës nga debati i parë – dhe me gjasë i vetëm – midis dy kandidatëve presidencial.

Trump përmend Orbanin

Pas pretendimeve të zëvendëspresidentes, Harris se disa liderë botërorë nuk e bëjnë ‘hesap’ Trumpin aq shumë sa mendon ai, ish-presidenti amerikan argumentoi se kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban do ta mbështeste administratën e tij.

“Më lejoni të numëroi liderët botërorë: Viktor Orban, një nga njerëzit më të respektuar dhe një njeri i fortë. Ai është një person i fuqishëm. Kryeministër i zgjuar i Hungarisë”, tha 78-vjeçari.

“Ata thanë, ‘Pse po shpërthen e gjithë bota? Kjo është arsyeja pse na duhet të kthehet Trumpi si president. Ata i frikësohen atij. Kina i frikësohet. Koreja e Veriut kishte frikë prej tij. Meqë ra fjala, shikoni se çfarë po ndodh me Korenë e Veriut. Ai tha se “Rusia kishte frikë prej tij”, shtoi ai, duke cituar gjoja Orbanin.

“Personi më i respektuar, më i frikshëm është Donald Trump. Ne nuk kishim probleme kur Trumpi ishte president”, tha republikani.

Harrisi u përgjigj se është e njohur që Trumpi “i admiron diktatorët” dhe “dëshiron të bëhet diktator që në ditën e parë”.

“Dihet mirë se ai tha për [presidentin rus Vladimir] Putin se ai mund të bëjë çfarë të dojë dreqin dhe të shkojë në Ukrainë”, tha ajo.

“Putini do të të hante për drekë”, Harris i thotë Trumpit

Kur u përball me pyetjen se a dëshiron të fitojë Ukraina kundër Rusisë, Trump nuk dha përgjigjeje të drejtpërdrejtë duke deklaruar se në vend të kësaj dëshironte t’i jepte fund luftës.

Megjithëse Trump tha se është një luftë “që po vdes për një zgjidhje… Unë do ta zgjidh para se të bëhem president”, gjersa nuk ofroi asnjë specifikë se si planifikonte ta arrinte këtë. “Ajo që do të bëj është që do të flas me njërin dhe do të flas me tjetrin”, tha ai dhe “do t’i bëjë bashkë”.

Trump përsëri deklaroi se pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse ai do të kishte qenë në detyrë në fillim të vitit 2022, duke deklaruar se Putini dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky do ta kishin parasysh se ai është president dhe jo Biden, transmeton Telegrafi.

“Unë e njoh Zelenskyn shumë mirë dhe e njoh shumë mirë Putinin”, tha ai dhe shtoi se “ata më respektojnë mua. Ata nuk e respektojnë Bidenin”.

Megjithatë, Trumpi përsëriti se administrata Biden ka shpenzuar më shumë në krahasim me Evropën për Ukrainën, pavarësisht se shifrat tregojnë të kundërtën.

Harris u kundërpërgjigj, duke thënë se nëse Trump në fakt do të kishte qenë president gjatë sulmit gjithëpërfshirës të Moskës, “Putini do të kishte arritur në Kiev dhe sytë do t’i kishin drejt pjesës tjetër të Evropës”, ku Polonia do të ishte synimi i radhës.

“Pse nuk u tregoni 800 mijë polakëve këtu në Pensilvani sesa shpejt do të hiqnit dorë për hir të favoreve dhe çfarë mendoni se është një miqësi me atë që njihet si një diktator që do t’ju hante për drekë”, tha ajo.

“Për shkak të mbështetjes sonë, për shkak të mbrojtjes ajrore, municioneve, artilerisë, Javelins, tankeve Abrams që kemi siguruar, Ukraina qëndron si një vend i pavarur dhe i lirë”, theksoi Harris, por nuk deklaroi se si planifikon ta ndihmojë ende Ukrainën.

Trump akuzon Harrisin se i ‘urren’ të gjithë në Lindjen e Mesme

Kandidati republikan për president gjithashtu nuk tregoi se si do të negocionte një marrëveshje paqeje midis Izraelit dhe Hamasit ose çfarë do të bënte për të lehtësuar krizën humanitare në Gaza.

Megjithatë, ai përsëriti të njëjtin pretendim se si lufta Izrael-Hamas nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse ai do të ishte president, duke u zhvendosur në një pretendim të pabazë se Harrisi e urren Izraelin dhe pjesën tjetër të rajonit.

“Ajo e urren Izraelin. Ajo as nuk do të takohej me [kryeministrin izraelit Benjamin] Netanyahu kur ai shkoi në Kongresin amerikan për të mbajtur një fjalim shumë të rëndësishëm”, tha ai.

“Oh, hajde”, Harris u pa duke iu përgjigjur pretendimeve të Trumpit. Në fakt, ajo u takua me Netanyahun një ditë më vonë në Uashington.

“Nëse ajo është presidente, unë besoj se Izraeli nuk do të ekzistonte brenda dy viteve nga tani dhe unë kam qenë shumë i mirë në parashikime”, tha Trump, duke shtuar se Harris gjithashtu urren popullatën arabe. “I gjithë vendi do të hidhet në erë”, shtoi ai.

“Shikoni se çfarë po ndodh me Houthit dhe Jemenin. Shikoni se çfarë po ndodh në Lindjen e Mesme. Kjo nuk do të kishte ndodhur kurrë. Unë do ta rregulloj shpejt dhe do të bëj që lufta të përfundojë mes Ukrainës dhe Rusisë. Nëse jam president i zgjedhur, do ta bëj përpara se të betohem”, pohoi ai.

Nga ana tjetër, Harris tha se si presidente, ajo “gjithmonë do ta ndihmonte Izraelin për ta mbrojtur veten”, veçanërisht nga Irani dhe përfaqësuesit e tij, por se “shumë palestinezë të pafajshëm janë vrarë” në luftën që po hyn pothuajse në vitin e saj të dytë.

Ajo tha gjithashtu se mbështet një zgjidhje me dy shtete dhe nevojën e palestinezëve për vetëvendosje.

Bashkimi Evropian dhe shefi i saj i politikës së jashtme, Josep Borrell, kanë qenë gjithnjë e më të zëshëm në kritikat e tyre ndaj Izraelit në lidhje me mënyrën në të cilën ai po zhvillon fushatën në Gaza.

Taksa më të larta për produktet ‘Made in China’?

Harris dhe Trump pritej të debatonin mbi politikën e Uashingtonit ndaj Pekinit – domethënë, ideja e ish-presidentit për të vendosur tarifa midis 10 për qind dhe 20 për qind për të gjitha importet nga Kina.

“Kundërshtari im ka një plan që unë e quaj ‘taksa e shitjeve të Trumpit’, e cila do të ishte një taksë prej 20 për qind për mallrat e përditshme në të cilat mbështeteni për të kaluar muajin”, tha ajo.

Trump tha se propozimi për tarifa shtesë midis 60 për qind dhe 100 për qind do të ishte një mënyrë për ta bërë Pekinin dhe të tjerët “të na paguajnë për gjithçka që kemi bërë për botën dhe tarifa do të jetë e konsiderueshme”.

Ai gjithashtu pyeti Harrisin për mos heqjen qafe të tarifave të tij, të cilat Trumpi i vendosi për herë të parë gjatë mandatit 2017-2021.

“Nëse ajo nuk i pëlqen, ata duhet të kishin marrë masa duke ulur menjëherë tarifat”, tha ai. “Ata nuk e hoqën kurrë tarifën sepse bëhej fjalë për shumë para. Ata nuk munden, kjo do të shkatërronte plotësisht gjithçka që ata kanë vendosur të bëjnë”.

Si përgjigje, Harris akuzoi Trumpin se nuk ishte aq i ashpër ndaj Kinës sa ai besonte se ishte, “duke ftuar luftëra tregtare” dhe duke shkaktuar një deficit gjatë kohës sa ishte në detyrë, duke ndihmuar pa dashje Pekinin të arrijë qëllimet e veta.

“Nën presidencën e Donald Trumpit, ai përfundoi duke shitur çipa amerikanë në Kinë për t’i ndihmuar ata të përmirësojnë dhe modernizojnë ushtrinë e tyre”, tha ajo.

“Trump në thelb na tradhtoi kur një politikë për Kinën duhet të sigurojë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të fitojnë garën në shekullin e XXI-të,” shpjegoi Harris.

Në muajin maj, administrata Biden ngriti taksat ndaj mallrave kineze me vlerë rreth 16 miliardë euro, duke përfshirë gjysmëpërçuesit dhe automjetet elektrike – një politikë kyçe për Brukselin, i cili gjithashtu prezantoi tarifa shtesë për automjetet elektrike të prodhimit kinez për të mbrojtur tregun e përbashkët.

Trump akuzon emigrantët se “hanë qentë”

Gjatë gjithë fushatës së tij, Trump është mbështetur tek imigracioni i paligjshëm, duke kritikuar rritjen e numrit të kalimeve të paligjshme të kufirit dhe ardhjen e mijëra njerëzve që kanë nevojë për strehim në qytetet e udhëhequra nga demokratët.

Ai akuzoi demokratët se kanë nxitur një numër të madh kalimesh të paautorizuara, megjithëse ato kanë rënë në muajt e fundit pjesërisht për shkak të kufizimeve të reja të azilit nga administrata Biden.

Por, siç bën shpesh në mitingjet dhe në llogarinë në mediat sociale, Trump nxori një sërë rrenash ose pretendimesh të paprovuara për migrantët.

Një nga këto pretendimet ishte edhe se emigrantët haitian në një qytet të Ohios po hanë kafshët shtëpiake.

“Ata po hanë qentë, po hanë macet, po hanë kafshët shtëpiake të njerëzve që jetojnë atje. Ky është turp”, tha ai.

Zyrtarët në Springfield, Ohio, thonë se nuk kanë prova që kjo të ndodhë.

Emigracioni ka qenë një nga temat e nxehta të Evropës, i përkeqësuar më tej nga vendimi i Gjermanisë për të rifutur përkohësisht kontrollet kufitare tokësore të martën për të frenuar migracionin e paligjshëm – një lëvizje që fqinjët e saj besojnë se është në kundërshtim me parimet e BE-së dhe Shengenit.

Harris: Trump po përdor racën për të ndarë njerëzit

Trumpi ndonjëherë ka përdorur stereotipet racore dhe gjinore duke pretenduar në mënyrë të rreme se Harris, e cila ndoqi një universitet historikisht me ngjyrë, fshehu racën gjatë karrierës së saj.

“Kam lexuar se ajo nuk ishte person me ngjyrë”, tha Trump kur u pyet në lidhje me komentet që vënë në dyshim racën e Harrisit, duke shtuar një minutë më vonë, “dhe më pas lexova se ajo u bë person me ngjyrë”. Ai dukej se sugjeroi se raca e saj ishte një zgjedhje, duke thënë dy herë, “kjo varet nga ajo”.

Harris nuk heshti, duke thënë se “unë mendoj se është një tragjedi që kemi dikë që dëshiron të jetë president, i cili vazhdimisht gjatë karrierës ka tentuar të përdorë racën për të përçarë popullin amerikan”.

Harris, megjithatë, e përdori atë për të paraqitur një listë të gjatë të polemikave racore të Trumpit “zgjidhjen ligjore për diskriminimin ndaj qiramarrësve të ardhshëm me ngjyrë në ndërtesat e tij të banimit në New York në vitet 1970; reklama e tij që bën thirrje për ekzekutimin e adoleshentëve me ngjyrë dhe latinë, të cilët u arrestuan gabimisht në rastin e sulmit me vrapues në Central Park në vitet 1980 dhe pretendimet e rreme se ish-presidenti amerikan, Barack Obama nuk ka lindur në SHBA”.

“Unë mendoj se populli amerikan dëshiron diçka më të mirë se kaq, dëshiron më mirë se kjo”, pohoi Harris.

Evropa ka përjetuar një rritje të populizmit dhe retorikës së ekstremit të djathtë në vitet e fundit, me mbështetjen në rritje në shumë pjesë të kontinentit që shihet qartë gjatë zgjedhjeve evropiane në muajin qershor. /Telegrafi/

Në trend Botë

Më shumë
Vajzat koreano-veriore që qajnë teksa dënohen dhe poshtërohen publikisht - në pamjet e rralla të zyrtarëve të regjimit të Kim Jong Un

Vajzat koreano-veriore që qajnë teksa dënohen dhe poshtërohen publikisht - në pamjet e rralla të zyrtarëve të regjimit të Kim Jong Un

Azia
Çfarë janë raketat Fath-360 që SHBA thotë se ushtria ruse mori nga Irani?

Çfarë janë raketat Fath-360 që SHBA thotë se ushtria ruse mori nga Irani?

Botë
Debati presidencial në SHBA - cilat ishin pikat kyçe për Evropën dhe botën

Debati presidencial në SHBA - cilat ishin pikat kyçe për Evropën dhe botën

Amerika
Trump tha se emigrantët nga Haiti hanë mace dhe qen - ja si u përgjigjën moderatori i debatit dhe Kamala Harris

Trump tha se emigrantët nga Haiti hanë mace dhe qen - ja si u përgjigjën moderatori i debatit dhe Kamala Harris

Amerika
Zelensky thotë se 'plani i fitores' mund ta shtyjë Rusinë t'i japë fund luftës në mënyrë diplomatike

Zelensky thotë se 'plani i fitores' mund ta shtyjë Rusinë t'i japë fund luftës në mënyrë diplomatike

Botë
Harris fitoi debatin me Trumpin - Bitcoinit i bie vlera

Harris fitoi debatin me Trumpin - Bitcoinit i bie vlera

Amerika
Kalo në kategori