Danaj: Vetëm Shqipëria Natyrale e hap portën e Brukselit

“Iluzionet e iluzionistëve të Tiranës se Shqipëria do të merrte statusin e vendit kandidat për në BE, morën fund. Iluzionet e iluzionistëve të Prishtinës se bisedimet dhe lëshimet ndaj Serbisë do t’i hapnin rrugë liberalizimit të vizave për shqiptarët në Kosovë, morën fund. Kosova do të vazhdojë të mbetet ‘geto’ për Brukselin. Iluzionet e ‘internacionalistëve’ të BDI që ngelën rrugëve të Europës për të ndihmuar Gruevskin morën fund. Përgjigja ishte ‘JO’”, ka thënë Danaj.
Më tej Danaj thotë se “Jo, status kandidat për Shqipërinë, jo liberalizim të vizave për Kosovën. Sinjalin e parë e dhanë ata që projektuan Masakrën e Srebrenicës, holandezët, ata që pranuan te lidhen në shtylla elektriku nga Ratko Mladici, derisa ai të masakronte mijëra boshnjakë, sepse …'ishin myslimanë’. Të tjerat dihen. Thonë se e shtynë për në qershor 2014. Mashtrim i neveritshëm. Në qershor, Presidencën e BE do ta ketë Greqia, e 'Kali i Trojës' do kërkojë 'Detin' për të hapur 'Portën' e Brukselit".
“Pse ndodhi kështu? Sepse politika mbarëshqiptare në marrëdhëniet me Brukselin është ‘lypsare’ . Por shpërblimi i “lypsarit’ është lëmosha. Dhe Brukseli ju dha shqiptarëve lëmoshë”, tha Danaj.
Danaj ka përmendur një rrugë tjetër, e cila sipas tij është e vetmja rrugë për të hapur “Portën” e Brukselit.
“Kjo rrugë janë integrimet ndërshqiptare. Ai që nuk i del për ‘zot’ vetes së tij, nuk duhet të presë askënd ti dalë për ‘zot’ atij. Politika shqiptare në Tiranë, Prishtinë, Shkup etj duhet të fillojë sendërtimin e integrimeve ndërshqiptare. Duhet të fillojë sendërtimin e Shqipërisë Natyrale. Vetëm atëherë, për 24 ditë, për 24 orë, për 24 minuta, ‘Porta’ e Brukselit do të hapet dhe shqiptarët do të hyjnë me dinjitet qytetari”, ka thënë Danaj në reagimin e tij. /Telegrafi/




















































