Daci: Sa më shumë që e njoh, aq më tepër e urrej politikën!

Akademiku përtej pushtetit: mes dijes, etikës dhe përkushtimit njerëzor
Në këtë intervistë reflektuese dhe të rrallë, akademiku Nexhat Daci shpalos dimensionet më pak të njohura të jetës së tij personale dhe profesionale, duke ndërtuar një rrëfim që tejkalon kufijtë formalë të biografisë publike.
Përmes përgjigjeve të drejtpërdrejta dhe pa retorikë politike, ai artikulon raportin e ndërlikuar mes akademisë, politikës, etikës personale dhe përgjegjësisë shoqërore, duke dëshmuar se dija dhe integriteti mbeten shtyllat kryesore të një jete të përkushtuar ndaj njeriut dhe së mirës publike.
Intervista shërben jo vetëm si portret intelektual, por edhe si dokument kulturor mbi një epokë, një mendësi dhe një sistem vlerash që sot sfidohet vazhdimisht.
Jeni akademik në profesion, sa jeni “akademik” në jetën private?
Jam i bindur që 90% ose 95% e jetës sime private është akademike. Në jetën private nuk e besoj që ka asnjë përqindje të politikanit. Por jeta e akademikut dhe jeta e profesorit të Universitetit do ta ketë, dhe kjo tregon se a e kam gjetur rrugën në politikë a jo.
Unë nuk e ndjej veten se jam në politikë dhe shpeshherë kam edhe pasoja të moskuptuarit nga qarqet politike, sepse mendoj që politika e shek. XXI nuk mund të quhet politikë e llafeve të larta që ka qenë karakteristikë e politikës, por e rezultateve, e paraqitjes së rrugëve të zgjidhjes së problemeve, e kohës për sa zgjidhen ato probleme dhe shpeshherë ndoshta mund të mos hasim mirëkuptim nga qarqet politike, por unë vazhdoj të mbetem dhe i tillë do të jem gjithmonë.

Me bashkëshorten time Zinetën jemi bashkë prej rinisë
Sikur të kishit mundësi ta riktheni “filmin e jetës”, çka do të ndryshonit në jetën tuaj private?
Nuk kam menduar asnjëherë, por ndoshta vlen ajo e popullit që ‘me i lëshu mendtë arave, secili i njeh të vetat’. Ndoshta krenaria e veçantë është që kam qenë antipod i politikës gjithmonë. Edhe si student, edhe si asistent, edhe si profesor universiteti kam qenë disi gjithmonë në polet opozitare të politikës ditore dhe mendoj që do të kisha zgjedhur të njëjtën rrugë, por kuptohet tash përvoja dhe njohuritë e bëjnë të veten, por nuk do ta ndërroja.
Jeni i njohur për pedanteri në veshje. Kush ka dorë në dukjen tuaj, bashkëshortja juaj apo e keni traditë personale?
Meqë unë jam më i vjetër në moshë se bashkëshortja ime dhe në një mënyrë jemi kolegë ose shokë të shkëlqyeshëm, kemi studiuar në vend të njëjtë dhe jemi shoqëruar herët, mendoj që e kam të lindur nga prindërit, por në profilizimet e mëvonshme nuk është pa ndikim edhe shija e bashkëshortes.
Edhe bashkëshortja juaj Zineta ka një elegancë në veshje. A keni ndikuar ju te ajo apo ajo te ju?
Unë e besoj se kam ndikuar shumë në rini, por edhe kam pranuar shumë nga ajo.
Çka kujtoni diçka të veçantë në jetën tuaj nga koha e shkollës së mesme apo e studimeve, diçka që nuk ia keni treguar askujt, që ende e ruani në shpirtin tuaj dhe që kësaj radhe dëshironi ta shpalosni për ne atë kujtim nga jeta juaj private?
Po, është qesharake, por unë shkollën e mesme e kam krye në Leskovc, në Serbi, sepse shkolla shqipe në atë kohë ka qenë vetëm normalja, në Prishtinë dhe në Shkup. Çuditërisht, nuk kam dashur me qenë mësues, por po shkoj në pension si mësues, si profesor universiteti.
Dhe kur kam shkuar atje, kam ditur fare, fare, fare pak serbisht. Nuk kishte tekste shkollore në atë kohë. Diktonin profesorët. Dhe thonin e çka thonin dhe ‘tacka’ (pikë). E mbaj mend gjithmonë përgjigjet që jam pyetur në biologji i pari. Ka qenë një grua profesoreshe diku nga Vranja dhe qeshnin shumë nxënësit. Unë flisja e flisja dhe thoja ‘tacka’. Nuk dija pse po qeshnin.
Por meqë Vranja është afër Bujanovcit, afër shqiptarëve, ajo e dinte që unë nuk e dija mirë serbishten dhe filloi t’u thoshte diçka atyre që unë s’e kuptoja, por mua më dha pesëshe. E mbaj atë si detal të shkollës së mesme.
Kam qenë me trup shumë i vogël dhe keq i veshur në shkollë të mesme, sepse kam filluar shkollimin ndoshta me më pak se pesë vjet, në Tërnovc. Ka qenë e vetmja paralele në krejt Jugosllavinë e atëhershme, në Leskovc, dhe kishte njerëz që ishin në reprezentacionin e hendbollit të Jugosllavisë dhe boks. Kur i thirrnin për nota, ata mua më kapnin si figurë mbrapa tyre për t’u pëshpëritur. Kështu e fitova simpatinë.
Mbaj dy ekstreme të mira të shkollës së mesme dhe një për të keq. Kishte varfëri të madhe në atë kohë. Udhëtonim me tren dhe nuk kishim kurrë para për të paguar biletën nga Leskovci deri në Bujanovc. Njëherë, me një kushëri, na zbresin natën në Vranjë sepse nuk kishim bileta. Mbaj mend shumë gjëra me kënaqësi, por nuk më ka rënë më kurrë të shkoj atje. Kam qenë, besoj, një nxënës shumë i dalluar dhe nuk kam qenë kurrë më në rrugë.
Jeni personalitet shumë i vlerësuar, ç’ju mungon?
Unë besoj që ajo që më mungon është perceptimi i njerëzve se kam qenë gjithmonë mendjemadh, kokëlartë, njëri që nuk i respekton të tjerët, ndërsa jam krejtësisht e kundërta. Mungesa e kohës dhe fakti që jam rritur në familje të madhe me 15 fëmijë, ku askush nuk më ka “formatë”, nuk kam pasur rast të mësoj sjelljet e odave. Ajo më ka munguar gjithmonë. Sot nuk shkoj me kënaqësi as në dasma, as në kryeshëndosh, ua lë vëllait të madh ose mixhallarëve.

Popullit nuk i duhen politikanët që synojnë privilegje në politikë
Politika, është sakrificë apo privilegj?
Unë e përjetoj vetëm si sakrificë. Asnjë cent nuk kam përfituar nga politika, vetëm kam humbur. Kjo të bën më të afërt me qytetarin e rëndomtë, me varfërinë dhe sëmundjen e tij. Jam krenar për respektin që kam te studentët dhe qytetarët. Prandaj nuk e konsideroj privilegj dhe mendoj se popullit nuk i duhen politikanë që shohin privilegje në politikë.
Përveç politikës, ç’pasione të tjera keni?
Kam pasion shëtitjen dhe natyrën. Prej 30 vitesh skijoj në mënyrë rekreative, sepse kam ndërtuar vilë në Brezovicë. Kam qenë në reprezentacion në volejboll dhe futboll, si nxënës i shkollës së mesme. Si student në Universitetin e Beogradit kam luajtur për ekipin e Bujanovcit. Kam qenë gjithmonë kapiten i ekipit të studentëve shqiptarë të Tërnovcit. Shoqëria ime janë njerëzit e thjeshtë dhe shokët e sinqertë që nga koha e “brucoshëve”.
Çfarë ndodh përtej asaj që shohin njerëzit?
Te unë nuk ka diçka përtej asaj që shihet. Jam transparent në punë, në shtëpi, me fëmijët, me gruan, me kolegët. Shpesh dukem naiv, por insistoj të mbetem i tillë.
Pushteti dhe suksesi… sa ndihmohen?
Pushteti ndihmohet vetëm me suksese, të cilat mungojnë shpesh në Ballkan, sidomos te shqiptarët.
Kush ka pushtet mbi ju?
Vetëm Perëndia dhe çështjet e kulturës dhe traditës së popullit.
Si e ndihmoni veten të jeni optimist?
Me punë dhe duke falënderuar Perëndinë për çdo ditë jete.
A ka kufij dhe mure që duhet t’i shtyni çdo ditë?
Ka, dhe mjerisht vijnë nga mediokritetet në politikë, kulturë e kombëtare.
Çfarë keni mësuar duke qëndruar pranë politikës dhe njerëzve të pushtetshëm?
Sa më shumë e kam njohur politikën, aq më tepër po e urrej. Siç thuhet: sa më shumë i njeh njerëzit, aq më shumë i do qentë.
Politikani që adhuroni?
Nuk kam idole. Ndoshta vetëm disa elemente të sjelljes së Tony Blair gjatë kampeve të refugjatëve shqiptarë.
A keni nostalgji për LDK-në?
Nostalgji jo. E kam parë si lëvizje kombëtare dhe një periudhë që nuk duhet njollosur. Por Zoti nuk më ka bërë për parti.
Pse pushteti magjeps më të paaftët?
Sepse budallai globin tokësor e sheh si pikë lapsi, ndërsa i mençuri në pikën e lapsit sheh globin.
Sa lexon akademik Nexhat Daci?
Lexoj shumë. Vikendeve vetëm romane. Jetoj sipas ligjit të Perëndisë: 8 orë punë, 8 argëtim, 8 gjumë.
Po nesër, çfarë do të bëjë Akademik Nexhat Daci?
Do të merret me kulturë, shkencë, edukim dhe shkrime shkencore. Akademia nuk ka pensionim. Dua të mbetem njeri që e do njeriun e rëndomtë, me respekt dhe ndihmë për ata që kanë nevojë. Jeta akademike mbetet oaza e shpirtit tim dhe lundrimi i jetës sime. /Telegrafi/




















































