Gjatë vizitës në Kenia, Clinton do të flasë në forumin amerikano-afrikan për ekonomi dhe tregti. Ajo do të takohet edhe me udhëheqësin e përkohshëm të Somalisë.

Zyrtarët amerikanë thonë se vizita ka për synim të tregojë angazhimin amerikan ndaj Afrikës si një ndër përparësitë e politikës së jashtme amerikane. Muajin e kaluar presidenti Obama shkoi në Ganë, vizita e tij e parë në Afrikën nënsahariane që kur u zgjodh president.

Gjatë një vizite të ngjeshur, Clinton do të takohet me udhëheqësit e 7 vendeve afrikane, Kenias, Afrikës së Jugut, Angolës, Republikës Demokratike të Kongos, Nigerisë, Liberisë dhe Kepit të Gjelbër.

Clinton është folësja kryesore sot në Forumin e Tetë amerikano-afrikan për Bashkëpunim Tregtar dhe Ekonomik. Forumi synon të ndihmojë shtimin e shkëmbimeve tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Afrikës. Ajo do të diskutojë mbi mënyra të reja për zhvillim, duke theksuar investimet dhe rritjen ekonomike, si dhe forcimin e lidhjeve të Afrikës me tregjet globale. /VoA/Telegrafi/