Site icon Telegrafi

Çka pritet nga vizita e parë e Sorensenit në Kosovë?

Vizita e parë në Kosovë e emisarit të ri të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, po shihet më shumë informuese dhe që mund të prodhojë diçka në dialog.

Sipas njohësve të këtij procesi, është vështirë të bëhet ndonjë hap konkret në dialog pa formimin e qeverisë së re në Kosovë, si dhe zgjidhjen e krizës politike në Serbi.

Megjithatë, konsiderohet se Sorensen gjatë vizitës së tij tre ditore në Kosovë, mund të diskutojë me përfaqësuesit institucional dhe politikë për hapat përpara që do të ndiqen në këtë proces, zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të arritur në vitin 2023.

Sorensen do të qëndrojë në Kosovë në datat 17-19 mars. Kjo është vizita e tij e parë që kur ka marrë detyrën në muajin shkurt 2025, duke e zëvendësuar paraardhësin e tij, Mirioslav Lajçak.

Politologu Seb Bytyçi, thotë për KosovaPress, se është e vështirë të bëhet ndonjë hap konkret në dialog pa formimin e qeverisë së re në Kosovë.

“Më shumë bëhet fjalë për takim njoftues dhe takim kurtuazie, por gjithashtu në të njëjtën kohë pritet që të diskutohet për hapat përpara. Është vështirë që të bëhet ndonjë hap konkret pa formimin e qeverisë së re, mirëpo mund të ketë planifikim, mund të bëhet njëfarë planifikimi për atë se çfarë do të ndodh. Gjithashtu, duhet ta kemi parasysh se është vështirë që të ndërmerren hapa duke pas parasysh situatën në Serbi dhe nuk mund të pritet ndonjë takim i nivelit të lartë ose diçka e tillë në këtë kohë“, thekson Bytyçi.

Në anën tjetër, ish-diplomatja, Alma Lama, thotë për KosovaPress, se vizita e Sorensen në Kosovë është tërësisht në kuadrin e informimit dhe prezantimit të qasjes së tij në dialog.

Sipas saj, Sorensen do të marrë pikëpamjet e liderëve institucional dhe politikë të Kosovës për dialogun, si dhe do t’i paraqesë kërkesat e tij për zbatimin e ujdive aktuale.

“Kjo është vizita e tij e parë, më shumë për t’u informuar dhe njohur me subjektet politike. S’mendoj se do të ketë një rifillim të dialogut pa u formuar qeveria e re në Kosovë. Prandaj është tërësisht në kuadrin e informimit dhe të prezantimit të këtij përfaqësuesi që do të merret me dialogun…

Zotëri Sorensen vjen për të parë se cilat janë pikëpamjet e palëve, jo që ato nuk i dinë pasi sigurisht i ka të trashëguara nga pasardhësi, por takimi dhe marrja e opinioneve dhe qëndrimeve nga përfaqësuesit e institucioneve dhe subjekteve politike do t’i shërbente atij për të krijuar një vizion më të qartë se çfarë pret Kosova. Cilat janë kërkesat e saj dhe ku ka çaluar puna që nuk ka arritur të implementohen marrëveshjet. Cilat janë kërkesat edhe ndaj vet BE-së, duke pasur parasysh se Kosova është aktualisht nën sanksione të BE-së dhe këto drejtpërdrejtë lidhen me dialogun dhe situatën në veri”, deklaron ajo.

Shefja e politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së, Kaja Kallas, javë më parë ka thënë se gjatë muajit mars do të shikojnë të funksionalizojnë dialogun dhe të shohin se si të ecet përpara.

 

Exit mobile version