Site icon Telegrafi

Çka është diabeti dhe cili është dallimi mes tipit 1 dhe tipit 2 të sëmundjes

Diabeti është sëmundje që zgjatë tërë jetën dhe që prek miliona njerëz anë e mbanë botës.

Ekspertët thonë se mund të ketë edhe miliona njerëz tjerë që jetojnë me diabet dhe që nuk janë në dijeni se e kanë atë sëmundje, transmeton Telegrafi.

Çfarë është diabeti?

Diabeti është sëmundje e cila shkaktohet nga nivelet e larta të glukozës – apo sheqerit – në gjak.

Nivelet e glukozës janë aq të larta sepse trupi nuk ka aftësi ta shfrytëzojë glukozën siç duhet.

Te personat e diagnostikuar me diabet, pankreasi i tyre nuk prodhon insulinë ose mjaftueshëm insulinë.

Insulina është hormon i cili prodhohet nga pankreasi dhe e lejon glukozën të futet në qelizat e trupit, ku pastaj përdoret për energji.

Lexo po ashtu Dieta që i vret urie qelizat kanceroze, e trajton tipin 2 të diabetit dhe ju ndihmon të humbni peshë shpejt

Cilat janë simptomat e diabetit?

Shenjat e zakonshme të diabetit përfshijnë:

– Jeni duke shkuar më shpesh në tualet, posaçërisht gjatë natës
– Jeni duke pasur tepër etje
– Po ndiheni më të lodhur se zakonisht
– Keni humbur peshë pa provuar
– Plagët dhe prerjet marrin më shumë kohë për t’u shëruar
– Nuk jeni duke parë mirë

Simptomat shkaktohen nga nivelet e larta të glukozës që kanë mbetur në gjak dhe që nuk mund të përdoret për energji.

Por, vlen të ceket se pacientët me tipin 1 të diabetit e kanë më të vështirë t’i njohin simptomat e tyre.

Cili është dallimi mes tipit 1 dhe tipit 2 të diabetit?

Të gjitha llojet e diabetit shkaktojnë nivele të larta të glukozës në gjak, por këto dy lloje e bëjnë këtë në mënyrë të ndryshme.

Dallimi gjendet në atë se çfarë po e shkakton mungesën e insulinës.

Te tipi 1 i diabetit, pankreasi i personit nuk prodhon insulinë, ndërkaq në tipin 2 qelizat në trup bëhen rezistente ndaj insulinës, kështu që nevojitet një sasi më e madhe e insulinës në mënyrë që të mbahen normal nivelet e glukozës në gjak.

Çka është tipi 2 i diabetit?

Tipi 2 i diabetit është forma më e zakonshme e diabetit – e cila është përgjegjëse për 85-95% të të gjitha rasteve të diabetit.

Ky tip i diabetit shfaqet kur qelizat që prodhojnë insulinë në trup janë të paafta të prodhojnë mjaftueshëm insulinë.

Por, ky tip mund të shkaktohet edhe nëse insulina e prodhuar nuk funksionon siç duhet.

Kryesisht kjo sëmundje është më prezente te personat mbi moshën 40 vjet.

Lexo po ashtu Rreziqet e fshehura në ushqimet e ‘shëndetshme’ që mund të shkaktojnë sëmundje

Çka është tipi 1 i diabetit?

Tipi 1 i diabetit është ku qelizat në trup që normalisht prodhojnë insulinë janë shkatërruar, duke e lënë trupin të paaftë ta prodhojë këtë hormon kryesor.

Ky tip i diabetit është më pak i zakonshëm, ndërkaq trajtohet me injeksione të rregullta ditore me insulinë.

Përndryshe, kjo formë e sëmundjes ka prirje të shfaqet në fëmijëri ose para moshës 40-vjeçare dhe nuk ndërlidhet me mbipeshë. /Telegrafi/

Exit mobile version