Site icon Telegrafi

Çitaku: Është e dhimbshme të shohësh zyrtarë të ambasadave tona, duke bartur bina e mikrofona në tubimet e LVV-së

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku në emisionin “Përballje” në Telegrafi me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu ka kritikuar ashpër kryeministrin Kurti në raport me aktivitetet që ky i fundit po mban në diasporë.

“Po përdoret infrastruktura shtetërore dhe fondet publike. Kam qenë ambasadore në SHBA për shtatë vjet dhe nuk ka ndodhë asnjëherë që me ardhë ndonjë lider politik institucional dhe me organizu nën petkun e Ambasadës tubime partiake. Dhe kjo jo vetëm në SHBA, por nuk ka ndodhë askund”.

Çitaku u ka bërë thirrje ambasadorëve dhe konsujve që mos të nënshtrohen përballë presionit politik.

“Ata e kanë dhënë një betim, betimi që e kanë dhënë është që t’i shërbejnë Republikës së Kosovës, jo interesave politike e partiake. Është e dhimbshme të shohësh nëpër tubime partiake, zyrtarë të ambasadave dhe konsullatave tona, duke bartur bina e mikrofona në tubime partiake të Lëvizjes Vetëvendosje”.

Vlora Çitaku – Sekretare e Përgjithshme e PDK-së gjatë intervistës në Telegrafi.com /Foto: Ridvan Slivova

Ish-ambasadorja thotë se ky është denigrim i rolit dhe funksionit të diplomatit, është keqpërdorim i detyrës zyrtare.

“Prirje për të instrumentalizuar institucionet e Republikës kemi parë edhe në sfera tjera, jo vetëm në diplomaci. Për Policinë dhe prirjet e Qeverisë për ta instrumentalizuar Policinë e Kosovës kemi pasur deklarata edhe nga shtetet e Quintit. Ngjashëm kemi parë tendenca për të instrumentalizuar edhe AKI-në”.

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së thotë se ka pasur tendenca të dukshme për të ndërhyrë edhe në punën e televizionit publik. /Telegrafi/

Exit mobile version