Nga: Andrew England / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Pas më shumë se një viti të konfliktit të pamëshirshëm në Lindjen e Mesme, kapitullimi tronditës i regjimit të presidentit sirian Bashar al-Assad do të shënohet në historinë e rajonit si një nga goditjet më të mëdha.
Në vetëm 12 ditë, rebelët marshuan nga veriu dhe më pas nga jugu drejt qendrës së Damaskut, duke pushtuar kryeqytetin dhe duke i dhënë fund sundimit mbi 50-vjeçar të dinastisë së Assadëve mbi kombin. Në më pak se dy javë, ata arritën atë që dhjetëra mijëra luftëtarë të armatosur të opozitës nuk kishin arritur ta bënin në 13 vitet e tmerrshme të luftës civile.
Të përfshirë në konfliktet e veta – Rusia në Ukrainë dhe Irani me përfaqësuesit e tij në konfliktin 14-mujor me Izraelin – Moska dhe Teherani, mbështetësit kryesorë të Assadit, nuk ishin në gjendje ose nuk dëshironin ta ndalonin këtë zhvillim.
Në shumë aspekte, rënia spektakolare e regjimit duket të jetë një nga pasojat e paqëllimshme të kundërpërgjigjeve të ashpra të Izraelit ndaj kundërshtarëve të tij – që prej sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023. Viti pasues ka përmbysur të gjitha normat e mëparshme në rajon, duke krijuar një mjedis shpërthyes dhe të paparashikueshëm.
Prej muajsh, forcat izraelite kryen sulme ajrore në Siri, duke vrarë komandantë iranianë dhe të përfaqësuesve të tyre, si dhe duke bombarduar objektet e ndërlidhura me Iranin dhe Hizbollahun – lëvizjen militante libaneze që gjithashtu mbështeti regjimin e Assadit gjatë luftës civile.
Por, më shumë se çdo gjë tjetër, ofensiva e shpejtë e rebelëve theksoi gjendjen e mjerueshme të regjimit të korruptuar dhe të shkatërruar të Assadit.
Assadi, i cili në vitin 2000 pasoi babanë e vet, Hafez al-Assad, ishte një despot brutal. Ai përdori mjetet më mizore për të shtypur kundërshtarët gjatë luftës civile: armë kimike, bomba fuçie, rrethime dhe taktika urie, arrestime masive, tortura dhe vrasje.
Më shumë se 12 milionë njerëz – gjysma e popullsisë – janë detyruar të largohen nga shtëpitë e veta gjatë dekadës së luftës. Janë më shumë se 100 mijë të ashtuquajtur “të zhdukur” – njerëz të marrë nga forcat e sigurisë, për të cilët nuk dihet ende se ku ndodhen.
Ndërsa regjimi parazitar po shteronte vendin nga burimet, madje edhe nga ata të komunitetit të tij alavit të cilët kishin dërguar bijtë e tyre për të vdekur në luftën e Assadit kundër popullit, pasoi demoralizimi dhe humbja e shpresës pas viteve të përkeqësimit ekonomik dhe shoqëror.
Rënia e Assadit do të mirëpritet nga miliona njerëz që vuajtën nën sundimin e tij, pasi ai refuzoi të bënte kompromis dhe të negocionte një zgjidhje politike me kundërshtarët e tij për të stabilizuar vendin dhe për ta vendosur atë në një drejtim tjetër.
Por, shpërthimi masiv i gëzimit do të përzihet me frikën për atë që do të vijë më pas.
Ofensiva u drejtua nga forca më e fuqishme rebele, Hajat Tahrir al-Sham (HTS), një grup islamist ish-aleat i al-Kaedës së shpallur organizatë terroriste nga OKB-ja, ShBA-ja dhe shtetet e tjera. Lideri i grupit, Abu Mohammad al-Jolani, i cili publikisht ka deklaruar dëshirën e tij për të pushtuar Damaskun dhe tani duket se është vendimmarrësi kryesor, dikur luftoi me ISIS-in, grupin xhihadist, ndërsa ka një shpërblim prej 10 milionë dollarësh nga ShBA-ja për kokën e tij.
Gjatë gjashtë viteve që HTS-ja ka sunduar provincën veriperëndimore të Idlibit përmes një qeverie të udhëhequr nga civilët, ai është përpjekur të riemërojë grupin si një lëvizje islamiste më të moderuar. Por, e ka mbajtur kontrollin me një dorë të hekurt, ndërsa agjencitë e OKB-së kanë dokumentuar abuzimet.
Nëse 42-vjeçari Jolani arrin ambicien e tij për të sunduar, kjo do të krijojë dilema për fuqitë perëndimore dhe agjencitë ndërkombëtare se si duhet të angazhohen me të dhe HTS-në.
Por, HTS-ja është vetëm një nga shumë grupet opozitare që janë mbetje të rebelimit fillestar dhe që morën pjesë në sulm. Në të kaluarën, fraksionet e ndryshme kanë pasur përplasje me njëra-tjetrën.
Gjatë ofensivës më të fundit, kishte koordinim midis HTS-së dhe fraksioneve të mbështetura nga Turqia që veprojnë nën ombrellën e Ushtrisë Kombëtare Siriane, si dhe me grupe të tjera që rrethuan Damaskun nga jugu.
Megjithatë, testi i vërtetë do të vijë kur fraksionet do të kërkojnë të ndajnë përfitimet e fitores – dhe pushtetin.
Analisti sirian Malik al-Abdeh ka thënë se gjen ngushëllim në faktin që rebelimi duket qartë i koordinuar midis HTS-së dhe grupeve të tjera, duke e përshkruar sulmin ndaj regjimit si një “plan të kontrolluar të shembjes”.
“Kjo ndjenjë euforie dhe krenarie është zbutur gjithashtu nga ndjenja se mund të ketë dhunë – është pothuajse shumë e mirë për të qenë e vërtetë”, ka thënë Abdeh. “Por, është e qartë se ekziston një plan; është komunikuar shumë me kujdes nga HTS-ja dhe Jolani se ekziston një hartë udhëzuese. Kjo ka qetësuar shumë njerëz”.
Përveç grupeve rebele sunite, ka forca të udhëhequra nga kurdët – të cilat ShBA-ja i mbështeti në luftën kundër ISIS-it – që kontrollojnë një pjesë të Sirisë verilindore.
Turqia, megjithatë, i konsideron ata si një zgjatim të separatistëve kurdë që kanë luftuar kundër shtetit turk për dekada.
Trupat turke janë vendosur për disa vite në Sirinë veriore për të sprapsur militantët kurdë dhe lidhjet e tyre me grupet rebele sunite. Kjo do të thotë se Ankaraja është tani ndoshta aktori më i fuqishëm në vendin fqinj dhe se do të luajë një rol vendimtar për atë që do të ndodhë më pas.
Megjithatë, Turqia ka një marrëdhënie komplekse dhe herë pas here të vështirë me HTS-në, të cilën gjithashtu e ka shpallur organizatë terroriste.
Ndërkohë, ShBA-ja ka rreth 900 trupa në vend për të mbështetur luftën kundër ISIS-it.
Përveç rrezikut të përplasjeve brenda grupeve rebele, do të ketë frikë se ISIS-i – që dikur kontrollonte pjesë të mëdha të veriut dhe verilindjes së Sirisë – do të përpiqet të shfrytëzojë kaosin dhe të bëjë një rikthim.
Grupet e pakicave nëpër gjithë Sirinë, një nga vendet më sekulare të rajonit – një faktor që i shërbeu Assadit, pasi ai vetë ishte anëtar i një pakice – do të shqetësohen për atë që do të vijë më pas. Vendi ka një popullsi të larmishme me fise, fe dhe sekte.
Gjatë ofensivës, Jolani, si pragmatist i rafinuar, iu drejtua grupeve fisnore, kundërshtarëve të mëparshëm dhe ndërmjetësoi marrëveshje dorëzimi, duke urdhëruar mbrojtjen e pakicave.
Vendet fqinje, përfshirë Izraelin, Jordaninë dhe Libanin, do të jenë gjithashtu të kujdesshme, ashtu siç do të jenë edhe shtetet e Gjirit, të cilat rishtazi rinisën angazhimin me Assadin dhe i shohin lëvizjet islamike si forca destabilizuese.
U bë mirë për vendet fqinje të Sirisë që donin ta shihnin Assadin të dobësuar, ndërsa Izraeli ka dëshiruar gjithmonë një fund për praninë e Iranit dhe Hizbollahut në kufirin e saj verior. Por, do të ketë gjithashtu shqetësim për mundësinë e një shteti të brishtë, të dërrmuar nga kaosi, me grupet islamike në krye.
Kur ngritjet popullore kundër regjimeve autoritare përfshinë Lindjen e Mesme në vitin 2011, një valë optimizmi u përhap në rajon. Por, ajo qe shumë e shkurtër.
Siria ra në luftën e saj shkatërrimtare civile. Në Egjipt, ushtria mori pushtetin në një grusht shteti dy vjet pasi u përmbys presidenti Hosni Mubarak, i cili udhëhoqi një nga regjimet më autokratike të rajonit.
Në Libi pati një flirt të momentit me demokracinë, përpara se fraksionet e armatosura rivale të ktheheshin kundër njëra-tjetrës dhe vendi i Afrikës së Veriut mbeti i fragmentuar dhe në kaos.
Sfida që pret Sirinë tani që Assadi është përfundimisht i larguar, është nëse ajo mund të kalojë pengesat dhe të shmangë katastrofat që kanë goditur vendet e tjera pas rënies së diktatorëve, dhe të nisë procesin e vështirë të rindërtimit dhe pajtimit. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëBrohoritje 'Zdravo', 'Albin hajni' dhe mjete piroteknike gjatë tubimit të Kurtit në Skenderaj
Çfarë fsheh aksidenti në Çubrel ku vdiqën tre persona? Ekspertët kërkojnë hetime të thella dhe përgjegjësi
“Largohu, mos më hajde më”, Gjesti i ashpër me Eglin - banorja qan me dënesë
Vullnet Krasniqi flet për herë të parë pas daljes nga Big Brother: Më janë frikësuar dhe janë ruajtur nga unë
Trump i përgjigjet ofertës së Salmanit prej 600 miliardë dollarësh: Duhet t'i rrumbullakojë investimet në një trilion
I mituri rrëfen ngacmimin seksual nga 45-vjeçari: Më ka thënë hajde me mua, do të jap para, do të çoj këtu...
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Aksidenti me tre viktima në Çubrel të Skenderajt: Edhe pesë të lënduar, katër prej tyre zyrtarë policorë
Driloni: Banorët nuk më uruan fitoren, e di që më kanë inati
Kurti reagon pas aksidentit me tre të vdekur në rrugën Mitrovicë-Pejë
Publicisti serb: Beogradi duhet të përballet me realitetin për Kosovën, iluzion të pritet një ndryshim i politikës amerikane
Afati kalimtar i janarit: Transferimet minutë pas minute, emra të mëdhenj në bisedime
E quajti Ramush Haradinajn “gjeneral të vetëshpallur”, OVL-UÇK në Pejë i reagon Gërvallës