Rritja e temperaturave globale vret një person çdo minutë në të gjithë botën, dhe që nga vitet 1990, shkalla e vdekjeve të lidhura me nxehtësinë dhe valët e të nxehtit është rritur me 23%, sipas analizës më gjithëpërfshirëse të këtij lloji që shqyrton ndikimin e krizës klimatike në shëndetin e njeriut.

Raporti pohon se varësia globale nga lëndët djegëse fosile po shkakton ndotje toksike të ajrit, zjarre masive në pyje dhe përhapjen e sëmundjeve të tilla si ethet e dengut, dhe se përpjekjet e dështuara për të adresuar ngrohjen globale po vrasin miliona njerëz çdo vit.


Bëhet e ditur se hulumtimi u krye nga profesorë nga dy universitete, Universiteti i Sidneit dhe University College London (UCL), raporton The Guardian.

Qeveritë po shpërndanin 2.5 miliardë dollarë në ditë në subvencione të drejtpërdrejta për kompanitë e karburanteve fosile në vitin 2023, zbuluan studiuesit, ndërsa njerëzit po humbnin afërsisht të njëjtën shumë për shkak të temperaturave të larta që e bënë të pamundur për ta që të punonin në tokë bujqësore, ferma dhe kantiere ndërtimi.

Djegia e reduktuar e qymyrit ka shpëtuar rreth 400 jetë në ditë gjatë dekadës së fundit dhe prodhimi i energjisë së rinovueshme po rritet me shpejtësi, thuhet në raport.

Por ekspertët thonë se një e ardhme e shëndetshme është e pamundur nëse lëndët djegëse fosile vazhdojnë të financohen me normat aktuale.

"Ky raport paraqet një pamje të zymtë dhe të pamohueshme të dëmeve shkatërruese shëndetësore që arrijnë në të gjitha pjesët e botës. Shkatërrimi i jetëve dhe i mjeteve të jetesës do të vazhdojë të përshkallëzohet derisa të japim fund varësisë sonë nga lëndët djegëse fosile", tha Dr. Marina Romanello e University College London, e cila udhëhoqi hulumtimin.

"Çdo vit ne dëshmojmë miliona vdekje, krejtësisht të panevojshme, dhe ato ndodhin për shkak të veprimeve tona të vonuara kur bëhet fjalë për zbutjen e ndryshimeve klimatike, si dhe veprimeve të vonuara në përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike që nuk mund të shmangen më. Në të njëjtën kohë, udhëheqësit kryesorë botërorë, qeveritë dhe korporatat e mëdha po braktisin angazhimet klimatike, duke vënë kështu në rrezik gjithnjë e më shumë njerëz", shtoi Romanello.

Raporti thotë gjithashtu se shkalla e vdekjeve që lidhen me nxehtësinë dhe ndryshimet klimatike është rritur me 23% që nga vitet 1990.

"Kjo është rreth një vdekje e lidhur me nxehtësinë çdo minutë në vit. Një shifër vërtet e tmerrshme që vazhdon të rritet. Ne vazhdojmë t'u themi njerëzve se stresi nga nxehtësia mund të ndikojë në të gjitha aspektet e jetës dhe mund të rezultojë në vdekje, por mendoj se shumë njerëz ende nuk e kuptojnë këtë dhe jam i bindur se çdo vdekje e lidhur me nxehtësinë është e parandalueshme", tha profesori Ollie Jay nga Universiteti i Sidneit në Australi, një nga anëtarët e ekipit kërkimor.

Ndryshe, gjatë katër viteve të fundit, një person mesatar është ekspozuar ndaj nxehtësisë kërcënuese për jetën për 19 ditë në vit, 16 prej të cilave nuk do të kishin ndodhur pa ngrohjen globale të shkaktuar nga njeriu, thuhet në raport.

Në përgjithësi, ekspozimi ndaj temperaturave të larta rezultoi në një rekord prej 639 miliardë orësh pune të humbura në vitin 2024, duke shkaktuar një humbje prej 6% të GDP-së kombëtare në vendet më pak të zhvilluara.

Romanello beson se një e ardhme e shëndetshme nuk është e mundur nëse vazhdojmë të financojmë lëndët djegëse fosile dhe të mundësojmë zgjerimin e tyre.

Ajo thekson se ekzistojnë zgjidhje që do të na lejonin të shmangnim katastrofën klimatike dhe të mbronim jetët - nga energjia e pastër deri te përshtatja e banorëve me dieta më të shëndetshme dhe më miqësore me klimën.

"Nëse ka ndonjë optimizëm dhe veprim konkret, e shoh atë te komunitetet dhe autoritetet lokale, si dhe në sektorin e shëndetësisë, sepse këta janë njerëzit që janë realisht në kontakt të drejtpërdrejtë me njerëzit në terren. Dhe janë këta njerëz që po i shohin me sytë e tyre të gjitha ndikimet negative që po përkeqësohen dhe po bëhen të pamohueshme, por pavarësisht kësaj, nuk duhet të dorëzohemi", tha Romanello. /Telegrafi/